E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria çon ilaçe në zonat e përmbytura

 Situata e rënduar në Qarkun e Shkodrës ka sensibilizuar sektorin farmaceutik. Pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë filluar të vijnë ndihmat e para në medikamente, kryesisht antibiotikë, të cilat sipas të gjitha procedurave përkatëse do t'iu përcillen zonave më problematike në Qarkun e Shkodrës. Deri dje në mbrëmje, vlera financiare e medikamenteve të dhuruara nga kompanitë farmaceutike ka shkuar në 13 milionë lekë. Kryesisht janë barna antibiotike, antipertensiv (kundër tensionit), analgjezik(dhimbje e temperaturë). Vetëm kompania "Intermed" dorëzoi dje një sasi medikamentesh që kapin shumën e 5.2 milionë lekëve. Ky donacion është pasuar nga donacione të tjera të Profarmës dhe Avicena. Drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, i pranishëm gjatë procedurave të dorëzimit të medikamenteve, ka përshëndetur aktin e distributorëve farmaceutike, për gatishmërinë e treguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›