Përmbytjet, Meta telefonatë me ministrin Fratini
Qeveria shqiptare kërkon ndihmë nga shtetet e tjera për përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në veri-perëndim të vendit. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, së bashku me Ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti dhe zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, zhvilluan dje një takim informativ dhe konsultativ me përfaqësues të Trupit Diplomatik, në lidhje me gjendjen e rënduar në zonat e përmbytura në veri të vendit, si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut dhe prurjeve të mëdha të ujit. Tre përfaqësuesit e qeverisë informuan ambasadorët e pranishëm mbi situatën në terren dhe mbi masat e marra nga Qeveria, për përballimin dhe kapërcimin me dëme sa më minimale të situatës së krijuar, të cilën ai e cilësoi si kritike por jo dramatike. Gjithashtu, në emër të Qeverisë shqiptare, Meta u kërkoi ambasadorëve kontributin e vendeve të tyre për menaxhimin sa më efikas të emergjencës, si dhe u garantoi atyre një komunikim të vazhdueshëm dhe transparent, duke i siguruar njëkohësisht për koordinimin e asistencës që pritet të vihet në dispozicion. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pati dje një bisedë telefonike dhe me homologun e tij italian, Franko Fratini. Gjatë bisedës telefonike mes dy homologëve, u diskutua mbi situatën e rënduar në veri të vendit, mbi problematikat e shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, si dhe mbi asistencën e nevojshme në terren për familjet e prekura nga përmbytjet. Zyra e shtypit bën të ditur se "Fratini shprehu solidaritetin e Qeverisë italiane, duke theksuar se ajo gjendet pranë Qeverisë dhe popullit shqiptar në këto momente të vështira. Gjithashtu, Fratini shprehu gatishmërinë e Qeverisë së tij për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate. Meta, pasi e informoi homologun për masat e marra nga Qeveria shqiptare, për përballimin e situatës së krijuar, e falënderoi atë për solidaritetin dhe mbështetjen që Qeveria italiane po ofron në këto momente