Legisi: Islami harroje ndryshimin e Kushtetutës
• Përplasjet ndërmjet Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste zbresin në sallën e Parlamentit.Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi debatoi ashpër me deputetin e PS-së, bashkëkryetarin e komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami në lidhje me rritjen e pragut elektoral. “Jemi njohur me një iniciativë të re të Grupit Parlamentar të PS-së, e cila nuk bën asgjë tjetër veçse shmang komisionin e ngritur nga ky kuvend dhe dhunon punën e këtij komisioni. Dhjetë parti politike parlamentare kanë kërkuar mbledhjen e këtij komisioni, madje në dy raste kemi iniciuar sipas rregullores së funksionimit të këtij komisioni edhe mbledhjen e tij, por ky komision është bojkotuar nga PS-ja dhe PD-ja përkatësisht nga përfaqësuesit e saj. Deputeti i LSI-së akuzoi dhe deputetin e PS-së, Islami për këtë reformë. “Ju zoti Islami do të vazhdoni në linjën tuaj, ja ku po ua them burrash, për të prodhuar një sistem zgjedhor për të deformuar vullnetin e këtij populli nuk ke për ta bërë. Bashkë me PS-në edhe me djallin të bëhesh ti nuk ke për ta bërë”, tha Islami. Por socialisti i është kundërpërgjigjur se “nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë, as të hapur. Ka një nismë të PS-së jemi të gatshëm që ta diskutojmë këtu, do të na vinte mirë që ajo të na mbështesë jo nga partia e madhe, që drejton maxhorancën që është PD-ja”. “Në vitin 2001 kur është bërë minidushku, kryetari i LSI-së është bërë kryeministër dhe vetë zoti Legisi është bërë ministër, unë nuk jam bërë asgjë në atë periudhë. Kështu ai minidushk ka sjellë në pushtet zoti Meta dhe zotin Legisi”, tha Islami. Ndërsa deputeti i LSI-së, i është kundërpërgjigjur me shprehjet se “Skema e Dushkut i 2001 është ideuar nga ata njerëz, të cilët ju i njihni shumë mirë brenda PS-së dhe jo për të bërë Metën kryeministër, por është ideuar për të bërë Nanon president”.