Shtyhet afati i dorëzimit të ofertave për privatizimin e PTK-së

Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka vendosur sot që kompanive të përfshira në procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së, t’u japë kohë shtesë për dorëzimin e ofertave të tyre deri me datë 3 prill 2013.
Sipas një njoftimi, kjo shtyrje e afatit vjen si rezultat i pengesave teknike me të cilat janë ballafaquar kompanitë e parakualifikuara në këtë proces, përkundër faktit që çdo gjë ka qenë e gatshme në mënyrë që ky proces të zhvillohet konform dokumenteve tenderuese.
Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe dhe kompleksitetin e projektit të privatizimit të kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike, thuhet më tej në njoftim, KQP bazuar në këshillat e këshilltarëve të transaksionit, konsideron që shtyrja 2 javore e procesit është në të mirë të rritjes së konkurrencës dhe realizimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
KQP siguron të gjithë qytetarët e Kosovës, se procesi i privatizimit i kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike është duke u zhvilluar në harmoni të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla.
---
Ka dështuar shitja e PTK-së. Ndërsa, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka vendosur sot që kompanive të përfshira në procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së, t’iu japë kohë shtesë për dorëzimin e ofertave të tyre deri më 3 prill.
Sipas burimeve jo zyrtare bëhet e ditur se nga katër ofertues që ishin kualifikuar, në ditën e hapjes së ofertave (sot) ishte vetëm një ofertë.
“Kjo shtyrje e afatit vjen si rezultat i pengesave teknike, me të cilat janë ballafaquar kompanitë e parakualifikuara në këtë proces, përkundër faktit që çdo gjë ka qenë e gatshme që procesi të zhvillohet konform dokumenteve tenderuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik.
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së konsideron se shtyrja 2-javore e procesit është “në të mirë të rritjes së konkurrencës dhe realizimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm për ekonominë e vendit”. /Indeksonline/