E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit vjedh tekstin e autorëve, nuk i paguan

Tiranë- E drejta e autorit dhe pronësia intelektuale, janë në top listën e më të cënuarave në vendin tonë. Shfrytëzimi pa leje i veprave letrare, punimeve apo botimeve shkencore, plagjiatura e të gjitha niveleve është një gjë krejt familjare, për nxënësit e shkollave, për studentët në universitete, për zyrtarët që punojnë temat e tyre të masterit apo doktoraturës  si dhe shumë kategori  të tjera.

Së fundmi, referuar një vendimi përfundimtar në Gjykatën e Tiranës, edhe vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës shkel të drejtave e autorit, dhe shkakton dëme pasurore dhe morale . MASH është gjobitur me shumën 298.487 lekë, si dëmshpërblim për autorët Vasil Kristo dhe Vasil Trojani për shfrytëzim te tekstit shkollor Gjeografia 1.

Ja cila është shkelja që ka kryer MASH. Kjo ministri ka shpërndarë për vitin shkollor 2004-2005 tekstin shkollor Gjeografia 1 të autorëve të lartpërmendur. Autorë që nuk kanë marrë asnjë shpërblim financiar. Në provat e paraqitura në seancën gjyqsore nga avokati i paditësve, përfshihet lista e e shpërblimeve të marra nga autorët për vitin shkollor 2004-2005. Në këtë listë nuk figuron asnjëri nga autorët e librit të hedhur për përdorim publik gjatë vitit 2004-2005.

Mbi bazën e këtyre provave dhe në mbështetja të ligjit 608-654, autorët Vasil Kristo dhe Vasil Trojani paditën Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës më 26 korrik 2010. Gjithçka që autorët kërkonin ishte dëshpërblimi për dëmin ekonomik dhe moral të shkaktuar nga mohimi i të drejtës së tyre si autorë të ligjshëm të botimit në fjalë. Saktësisht ato kërkuan si dëshpërblim për dëmin ekonomik shumën prej 555.300 lekë dhe si dëmshpërblim për dëmin moral dhe jopasuror shumën 50. 000 lekë.

Gjykata e Tiranës vendosi pranimin e pjesshëm të padisë. Autori Vasil Kristo dëmshpërblehet me vetëm 39.181 lekë, ndërsa autori Vasil Trojani me shumën 159.603 lekë. Pjesa tjetër e padisë dhe shumës së kërkuar është hedhur poshtë.

Këtyre dy autorëve, libri i të cilëve ka kaluar në dorën e mijra nxënëse dhe ka edukuar një brez të tërë, u është mohuar e drejta e tyre financiare dhe morale për 7 vite me rradhë. Nxenësit që kanë mbajtur dhe mesuar Gjeografia 1 në vitin 2004-2005, me siguri tani janë të rritur mjaftueshëm për të kuptuar termin e drejtë autori. Por ndoshta jo aq të rritur sa për të kuptuar absurdin alla shqiptar, që një autor duhet të pres 7 vite për të marrë shpërblimin për veprën e tij intelektuale. Shpërblim në rastin konkret aq qesharak saqë, autorëve ndoshta nuk do t’ju mjaftojë aq për të mbuluar shpenzimet e gjyqit 2- vjeçar.

Matilda Alku /IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›