Ministria e Brendshme: Zyrat e shpërndarjes së kartave të hapura edhe sot
Të gjithë ata persona, të cilët ende janë në mëdyshje për të votuar dhe nuk kanë marrë kartat e identitetit, qeveria shqiptare i jep një mundësi të fundit për të tërhequr këtë dokument. Ministria e Brendshme nëpërmjet një deklarate për shtyp ka njoftuar shtyrjen e orarit të shpërndarjes të kartave të identitetit për të gjithë ata persona që kanë aplikuar dhe ende nuk i kanë marrë ato. Në këtë mënyrë, zyrat e shpërndarjes së kartave elektronike do të qëndrojnë të hapura edhe sot deri në orarin zyrtar të mbylljes së votimit të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri, për të gjithë ata shtetas që kanë aplikuar në afatet e caktuara.
Ministria e Brendshme i bën thirrje qytetarëve të shkojnë të votojnë dhe të respektojnë standardet ndërkombëtare të zhvillimit të zgjedhjeve. Ministria urdhëron zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike të qëndrojnë të hapura sot nga 09:00 - 19:00. Kjo bëhet për tu ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin, gjithashtu dhe për tua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit. Ministria e Brendshme, nisur nga kjo shtyrje e re, tha se u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilat kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja informoi sot urdhrin e fundit sipas të cilit të gjithë personat të cilët kanë aplikuar por nuk kanë tërhequr ende kartat e identitetit mund ti tërheqin ato edhe nesër. Për tu ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin, gjithashtu dhe për tua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit, zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe nesër gjatë gjithë ditës, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme. Për personat pa pasaportë dokumenti i identitetit, është i vetmi dokument që u jep mundësi të realizojnë nesër të drejtën e votës. Një tjetër mundësi për të votuar është dhe përdorimi i pasaportave. Në fund të mesazhit ministria e Brendshme i bën thirrje të gjithë qytetarëve të dëshmojnë vullnetin dhe përkushtimin e tyre maksimal për zgjedhje të qeta, të lira e të ndershme, dhe sigurisht duke respektuar standardet ndërkombëtare të zhvillimit të zgjedhjeve. Ministria e Brendshme shpreh vlerësimin e saj maksimal për të gjithë qytetarët shqiptarë që në mungesë të një pasaporte aplikuan dhe u pajisën me letërnjoftimin elektronik. Ky dokument identiteti i standarteve më të larta ndërkombëtare u jep atyre mundësinë që nesër të realizojnë të drejtën e votës.