Numri i deputetëve që do të nxjerrë çdo qark në vend
Dita e shumëpritur për politikanët shqiptarë në veçanti dhe për qytetarët shqiptarë në përgjithësi erdhi. Secili qytetar shqiptar përfshi këtu edhe politikanët do të hedhin votën e tyre për preferencat politike. Sot të gjithë shtetasit shqiptar që dëshirojnë të votojnë, do të vendosin në radhë të parë për lidershipin e tyre të ri, i cili do të drejtojë për katër vjet Shqipërinë. Për 140 mandatet e deputetëve do të votohet për herë të parë sipas sistemit proporcional rajonal. Për zgjedhje kandidojnë katër koalicione të mëdha (dy nga e djathta dhe dy nga spektri i majtë politik) dhe 13 parti politike.
Sistemi elektoral që do të zbatohet është i ndryshëm nga ai që është përdorur deri më tani në Shqipëri. I gjithë territori i vendit është i ndarë në 12 qarqe, ku do të ketë përllogaritje të pavarura të votave që do të marrë çdo subjekt e koalicion. Në mënyrë të pavarur këto përqindje do të konvertohen në vende në parlamentin e ri. Çdo qark ka të paracaktuar numrin e deputetëve që do të dalin prej tij, kjo në varësi të numrit të zgjedhësve. I pandryshuar mbetet numri i deputetëve që do të ulen në parlament, 140. Qarku i Tiranës, ku përfshihen rrethet Tirana dhe Kavaja, do të përfaqësohet në Kuvend me 32 deputetë, pasi ka përqendrimin më të madh të popullsisë. Në bazë të shifrave zyrtare të paraqitura nga ana e Ministrisë së Brendshme, qarku i Tiranës ka një popullsi që shkon në 992,360 banorë. Ndërsa qarku i dytë me numrin më të madh të deputetëve do të jetë Fieri me 16 deputetë. Ndërsa qarku i Elbasanit renditet i treti, duke përfituar 14 deputetë. Qarku i katërt që do të përfitojë më shumë është Durrësi me 13 deputetë. Vetëm në këto katër qarqe përbëjnë mbi gjysmën e Parlamentit, aq sa për të krijuar dhe qeverisjen e ardhshme. Qarqet e tjera më pas vijnë Korça dhe Vlora, që kanë të njëjtin numër mandatesh. Në Parlamentin e ardhshëm do të kenë secili qark nga 12 deputetë. Qarqet e tjera, Shkodra do të ketë 11 deputetë, Lezha me 7 deputetë, Kukësi me 7 deputetë, Dibra me 6 deputetë, Berati me 8 deputetë dhe Gjirokastra me 5 deputetë. Ndarja e mandateve është bërë sipas një formule të thjeshtë, bazuar në përcaktimin që ka bërë Kodi Zgjedhor. Fillimisht është gjetur numri mesatar i shtetasve që i duhet një mandati. Për të përftuar këtë mesatare, numri i përgjithshëm i popullsisë, i cili sipas të dhënave të datës 11 shkurt të vitit 2009, dhe ku janë reflektuar pastrimi i dublikateve, rezulton të jetë 4 milionë e 249 mijë banorë, është pjesëtuar me numrin 140, aq mandate sa do të ketë edhe Kuvendi i ardhshëm. Nga kjo ka rezultuar se, duhet të zgjidhet një deputet në çdo 30357 banorë. Ky është numri mesatar, me të cilin është pjesëtuar numri i ri i popullsisë, që është dokumentuar për çdo qark, nga ku dhe është përcaktuar fillimisht numri i plotë i deputetëve që i korrespondojnë çdo zone zgjedhore. Më pas, mandatet e mbetura u janë shpërndarë të gjitha atyre qarqeve, që kanë numrin më të madh të popullsisë që mbetet e pa përfaqësuar me deputetë, ose thënë ndryshe, atyre qarqeve që kanë mbetjen më të madhe dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i numrit të popullsisë të qarkut, me mesataren e numrit të shtetasve që duhet të përfaqësojë një deputet.