E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika tërhiqet: Drejtësia të zbardhë ngjarjen e Himarës



Politika shqiptare tërhiqet dhe i kërkon Drejtësisë të zbardhë aksidentin e Himarës, e cila ka rikthyer në mënyrë acaruese në këtë verë të nxehtë tonet nacionaliste me shtetin fqinj. Krejt ndryshe nga gjuha që artikulohet në Athinë, por krejt ndryshe edhe nga gjuha e kreut të Himarës, Vasil Bollano, i cili këto ditë po pret shirita rrugësh me kryeministrin, maxhoranca dhe opozita ndodhen në kërkim të shkaqeve të ngjarjes që rrokullisi heshtjen e këtyre ditëve. “Këto t’i hetojë dhe saktësojë Drejtësia”, - tha kryeministri, i cili prej ditësh ndodhet në vendin ku ndodhi ngjarja. Me të njëjtën gjuhë foli edhe përfaqësuesi i LSI-së, Luan Rama, i cili kërkoi nga Drejtësia që të zbardhë ngjarjen. Ndërsa Partia Socialiste mënjanoi komentet për ngjarjen dhe iu rikthye akuzave ndaj maxhorancës, duke e akuzuar qeverinë për humbjen e kontrollit në territorin e vendit.
Krejt ndryshe nga partitë e tjera opozitare, ka folur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili dje ka qenë me kryebashkiakun Bollano në Himarë.

Qeveria: Akt barbar
Ndonëse ndodhet në Himarë, kryeministri Berisha nuk ka shkuar në familjen Gumaj për ngushëllime, por ka përcjellë mesazhin ceremonial përmes kryetarit të Bashkisë së Himarës dhe ka kërkuar vënien para Drejtësisë të autorëve të krimit. Ai e konsideroi këtë një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm.
“E theksoj edhe njëherë, në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë, kjo e bën këtë krim edhe më mizor”, - u shpreh zoti Berisha dje në një prononcim për mediat. Sipas tij, është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem. “Nuk besoj të ketë shqiptarë që nuk e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë”, - tha kreu i qeverisë, i cili ndodhet prej gati dy javësh me pushime në zonën ku ndodhi ngjarja. Ai shtoi: “Të përgjigjesh në gjuhën që preferon, të përgjigjesh dhe të të ndodhë kjo, është shumë e rëndë. Sidoqoftë, këto do t’i hetojë dhe saktësojë Drejtësia. Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit”. “Unë shfrytëzoj edhe këtë rast, pasi jam lidhur edhe me kryetarin e Bashkisë dhe i kam përcjellë familjes ngushëllimet, t’i shpreh sërish familjes ngushëllimet, sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vet. Është një akt barbar", - përfundoi kreu i qeverisë.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe LSI-ja, partia aleate në qeverisje. Përmes një deklarate të bërë nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, thuhet se “ne jemi shtet i së drejtës dhe unë prandaj theksova si domosdoshmëri që të inkurajohen organet e zbatimit të ligjit që të ndihmohen ata, në mënyrë që shkaktarët të shkojnë përpara ligjit”. Në ndryshim nga kreu i qeverisë, zoti Rama i ka ftuar të gjithë banorët e Himarës që të ndihmojnë autoritetet e zbatimit të ligjit për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen dhe për të çuar fajtorët përpara ligjit. Sekretari i LSI-së ka refuzuar që të komentojë deklaratat e ardhura nga Athina.

Opozita akuzon qeverinë
Socialistët kanë akuzuar qeverinë për tensionimin e gjendjes në Himarë. Deputetja Ermonela Felaj tha dje se “qeveria ka humbur tërësisht kontrollin mbi territorin duke i lënë terren krimit, rrugaçërisë. Ajo është dorëzuar para vrasësve dhe rrugeçërve gjithfarësh!”, - tha deputetja socialiste. Në emër të PS-së, ajo u shpreh se “e denoncojmë me ashpërsi këtë situatë dhe kërkojmë drejtësi të shpejtë, efektive, të bazuar mbi fakte e prova”. “Është e pafalshme që Sali Berisha nuk thotë asnjë fjalë për këtë ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Himarë, që ka turbulluar gjithë opinionin publik, sidomos pushuesit në Jug”, - thuhet në reagimin e selisë rozë. Felaj theksoi se “me paturpësinë më të madhe, Berisha inauguron për të disatën herë copa rrugësh gjysmake, sa herë i teket për not”.
Dy ditë më parë reagoi me tone shumë të ashpra edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili lëshoi akuza për ngjarjen e ndodhur në Himarë. Prindërit e njërit prej personave të kërkuar për aksidentin që solli vdekjen e 35-vjeçarit Gumaj lëshoi dje një mesazh për politikën shqiptare dhe atë të Athinës, si dhe për drejtuesin e Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, që të mos e politizojnë çështjen. Ai i kërkoi edhe Drejtësisë që të mos ndikohet nga politika.
Mbrëmjen e së enjtes ndodhi në përplasje mes një grupi të rinjsh dhe 35-vjeçarit Gumaj, i cili më pas përfundoi me një aksident, gjë që solli vdekjen e tij. Kaq mjaftoi që ngjarja të merrte tension ndëretnik dhe më pas banorët e Himarës bllokuan rrugën, duke lënë për rreth 14 orë me mijëra turistë të bllokuar në rrugë. Policia arrestoi 7 persona për këtë aksident. Ngjarja dhe reagimet e mëpastajme me ethe ndëretnike ndodhin në kulmin e sezonit turistik.

REAGIMET

Berisha: “Gjest i një fanatizmi të verbër”

“… Në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë, kjo e bën këtë krim edhe më mizor. Është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem. Nuk besoj të ketë shqiptarë që nuk e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual, dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë”

PS: Qeveria humbi kontrollin mbi territor

“Qeveria ka humbur tërësisht kontrollin mbi territorin duke i lënë terren krimit rrugaçërisë, është dorëzuar para vrasësve dhe rrugaçërve gjithfarësh! Denoncojmë me ashpërsi këtë situatë dhe kërkojmë drejtësi të shpejtë, efektive, të bazuar mbi fakte e prova”.

LSI: Fjalën e fundit ta thotë Drejtësia

“… I vetmi koment që mund të bëhet është dënimi me indinjatë dhe me solidaritet të fortë i këtij akti kriminal nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ndihma maksimale për organet e ligjit për forcat e rendit për të gjithë ata që janë të përfshirë në zbardhjen e së vërtetës në mënyrë që siç ndodh në çdo vend demokratik, në çdo vend të civilizuar, fjalën e fundit ta thonë organet e Drejtësisë”

Athina kërkon zbardhjen e ngjarjes, Bollano nxeh gjakrat

Athina zyrtare kërkoi zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para Drejtësisë të autorëve, por ai që i ka nxehur më shumë gjakrat ka qenë kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Si edhe në rastet e tjera, ai e ka cilësuar një krim të nxitur për motive etnike.
Mbrëmjen e së premtes, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Grigoris Delavekouras, u shpreh se incidenti dhe informacioni dyshohet të ketë ndodhur për motive etnike dhe ka demoralizuar minoritetin etnik grek në vendin fqinj. Sipas tij, të tilla akte kriminale dhe të papranueshme kanë për qëllim që të prodhojnë tensione etnike, me konsekuenca të paparashikueshme dhe që minojnë marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas selisë qendrore të Diplomacisë greke, qeveria shqiptare duhet të garantojë menaxhimin e duhur dhe Drejtësia të japë ndëshkimin e merituar, duke iu dhënë përgjigjen e merituar shqetësimeve të minoritetit etnik grek. Delavekouras tha se Ministria e Jashtme greke është duke e ndjekur nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme çështjet që lidhjen me minoritetin grek në Shqipëri, duke nënvizuar se është detyrim për qeverinë shqiptare që të respektojë dhe mbrojë të drejtat dhe sigurinë e minoritet grek.
Reagim më të ashpër kanë bërë përfaqësuesit e Partisë Demokracia e Re dhe të Partisë Komuniste, të cilat i kërkuan Athinës që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të nxitur një hetim të plotë dhe të ndërmerren veprime juridike në vijim. Por, kreu i Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, nuk ka ngurruar që ta cilësojë ngjarjen një provokim të rëndë për komunitetin himarjot dhe për minoritetin grek. Ai kërkoi veprime të menjëhershme dhe rezultate nga ana e drejtësisë, marrjen e masave drastike dhe sistematike nga qeveria për t’iu prerë rrugën provokimeve të minoritetit grekë dhe iu bëri apel mediave, qytetarëve dhe partive politike për t’iu prerë rrugën provokimeve që cenojnë bashkëjetesën mes minoriteteve.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›