E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme dënon tentativën e Ramës për cenimin e privatësisë së qytetarëve

Basha shkresë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale: Edi Rama të tërheqë urgjetisht formularin e shpallur publikisht prej tij dhe shpërndarë në kundërshtim me ligjin


Ministria e Brendshme i është drejtuar me një shkresë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për verifikimin e statusit të të dhënave që u janë kërkuar qytetarëve të Tiranës në formularin e Adresarit të shpallur publikisht një javë më parë nga Z. Edi Rama. Zëdhënësi Fatmir Konja, u shpreh se në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nënvizon se janë anashkaluar kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, kërkesat e nenit 35 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5 të Direktivës 95/46 të KE dhe Parlamentit Europian, në të cilin shprehimisht thuhet se të dhënat personale “duhet të jenë të favorshme, koherente në lidhje me temën dhe jo të tejkalojnë qëllimin për të cilin grumbullohen dhe u nënshtrohen përpunimit”. "Bazuar mbi këtë qëndrim të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe duke ritheksuar shqetësimin për thyerjen e konfidencialitetit të qytetarëve dhe pengimin e implementimit të sistemit të adresave, Ministria e Brendshme i kërkon Z. Edi Rama që në mënyrë urgjente të tërheqë formularin e shpallur publikisht prej tij dhe shpërndarë në kundërshtim me ligjin. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të Bashkisë së Tiranës të mbrojnë të drejtën për privatësinë e të dhënave të tyre personale, të jenë të kujdesshëm dhe të mos plotësojnë të dhënat që u kërkon Z. Rama në tejkalim dhe anashkalim të ligjit, mbi numrin e telefonit fiks dhe celular, sipërfaqes së pronës, të qenurit emigrant ose jo, punësimit e arsimimit, profesionit dhe vendit nga vijnë"- u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›