E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Rama shkel rëndë autonominë lokale të minibashkive në Tiranë

Ka bllokuar të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale në të gjitha njësitë


Deputeti i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe njëherazi ministri i Drejtësisë Bujar Nishani denoncoi sot dhunën flagrante të kryebashkiakut Edi Rama ndaj njësive minibashkiake të kryqytetit, duke shkelur autonominë lokale dhe parimet e decentralizimit. Sipas Nishanit, Rama shkel rëndë ligjin për funksionimin e Bashkisë së Tiranës, i cili përcakton qartë edhe statusin e të drejtave të minibashkive në Tiranë. “Jam këtu si deputet i qarkut të Tiranës për të shprehur shqetësimin e qytetarëve dhe të të zgjedhurve vendore të qytetit të Tiranës për shkeljen e rëndë që Kryetari i Bashkisë, Tiranë, Edi Rama po i bën autonomisë lokale dhe parimeve të decentralizimit në funksionimin e minibashkive në Tiranë. Z. Rama po shkel rëndë në mënyrë të përsëritur ligjin për organizimin dhe funksionimin e Bashkise Tiranës i cili përcakton statusin dhe të drejtat e minibashkive në Tiranë. Z. Rama refuzon prej kohësh të zbatojë vendimet e përsëritura të Këshillit Bashkiak të Tiranës për respektimin e të drejtave administrative të minibashkive të Tiranës”- tha Nishani. Sipas tij, dhunimi i parimeve bazë të decentralizimit të pushtetit vendor nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka bllokuar të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale në të gjitha këto minibashki. “Refuzimi i vazhdueshëm i z. Rama për të respektuar ligjin, është një rast i qartë i standardeve të dyfishta të sjelljes politike të tij, z. Rama duhet t’u tregoj qytetarëve të Tiranës se është për respektimin e ligjit, se është për autonominë vendore, se është për decentralizimin; duke lejuar përdorimin e kompetencave që ligji i jep minibashkive”- u shpreh deputeti i Tiranës dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›