E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme dënon shpërthimin në Mitrovicë

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka dënuar sot shpërthimin e djeshëm në pjesën veriore të Mitrovicës në Kosovë ku gjeti vdekjen një person dhe u plagosën disa të tjerë. “Ministria e Punëve të Jashtme dënon shpërthimin e djeshëm në Mitrovicë, duke e konsideruar atë një akt të rëndë, që dëmton interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, citohet në një deklaratë të sotme për shtyp nga Ministria e Jashtme. Në deklaratën për shtyp, Ministria e Jashtme ka theksuar se mbështet angazhimin e autoriteteve kosovare në funksionimin e institucioneve të Kosovës. “Ministria e Punëve të Jashtme mbështet reagimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës ndaj këtij akti, angazhimin e organeve kompetente për zbardhjen e ngjarjes, si dhe thirrjen drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur çdo provokim”. Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen ndaj institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it për të garantuar funksionimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, në të gjithë territorin e saj, në shërbim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›