E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme dhe e Punes mbrojtje femijeve ne nevoje

Për të zhdukur fenomenin e lypjes apo punës së detyruar nga të miturit Ministria e Brendshme dhe ajo e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta angazhohen të marrin në mbrojtje çdo fëmijë që gjendet në situatë emergjente. Do të jenë efektivet e policisë së shtetit dhe punonjësit e shërbimit social shtetëror, ata që urdhri i nënshkruar nga dy ministrat Noka dhe Ksera i ngarkon në çdo moment të ditës apo të natës të evidentojnë rastet në terren dhe t’i dërgojnë ato në qendrat sociale publike, ku i mituri do të marrë trajtimin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për ushqim, veshmbathje, fjetje, si dhe mbështetje të specializuar psiko-sociale. Pas këtij hapi, udhëzimi parashikon referimin e rastit pranë njësive për mbrojtjen e fëmijës në njësinë vendore të vendbanimit dhe pranë organeve të drejtësisë për një vendimmarrje që garanton interesin më të lartë të fëmijës. Nisma e dy Ministrive vjen në përputhje me programin e Qeverisë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve. Firmosja e urdhrit bëhet për shkak të ekspozimit ndaj formave të ndryshme të abuzimit të fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›