E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme e Kosovës: Policët ishin në territorin kosovar

PRISHTINË-Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti EULEX-in, për lirimin e zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga ana e xhandarmërisë serbe, më 31 mars 2012.

Ministria e Punëve të Brendshme, në një deklaratë të bërë pak më parë, shpreh bindjen se zyrtarët policorë të rrëmbyer tinëzisht nga ana e xhandarmërisë serbe kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.
"Ne besojmë se KFOR-i dhe EULEX-i bashkërisht do të konstatojnë këtë fakt dhe do të vërtetohet se zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë patrulluar brenda juridiksionit të Republikës së Kosovës”, theksohet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Brendshme inkurajon të gjithë zyrtarët e Policisë së Kosovës të vazhdojnë kryerjen e detyrave të tyre sipas mandatit, në mbrojtje të integritetit territorial dhe në ruajtje të rendit dhe ligjit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›