Mungesa e energjisë në bregdetin Jon, po rrezikon turizmin
Tiranë- Mungesa e energjisë në bregdetin Jon po rrezikon turizmin, dhe për këtë arsye krerët vendorë kanë deklaruar se nëse problemi nuk zgjidhet asnjë prej qytetarëve nuk do ta paguajë energjinë elektrike.
Gjatë një takimi me Avokatin e Populli, përfaqësues të Bashkisë Himarë dhe komunave Ksamil, Martanesh, etj, kanë shprehur shqetësim mbi furnizimin me energji elektrike. Sipas tyre me qindra familje po vuajnë mungesën e energjisë elektrike, edhe pse vazhdojnë ta paguajnë atë.
“Nëse nuk do të vini dorë në Ksamil brenda muajit prill dhe maj, atëherë asnjë qytetar nuk do të paguajë faturën e energjisë dhe nuk do të guxojë faturist të futet në territor. Për shkak të energjisë së dobët janë dëmtuar vazhdimisht pajisjet elektrike dhe ne do ta përshkallëzojmë qëndrimin tonë edhe me protesta”,- deklaroi, Përparim Ahmeti, kryetar i Këshillit të Komunës Ksamil.
Ndërsa nënkryetari i komunës së Himarës, Vrion Zoto, deklaroi se edhe pse energjia vjen me shkëputje, në momentet që vjen ka luhatje të tensionit dhe për pasojë janë djegur me dhjetra pajisje elektroshtëpiake.
“Qëndrimi i këtyre zotërinjve është si qëndrimi i Perëndisë para njerëzisë, që këta qëndrojmë mbi të tërë dhe nuk marrin parasysh as vërejtjet, as vuajtjet. Qytetarët e Himarës i përmbushin të gjitha kushtet, u përgjigjen të gjitha kërkesave të CEZ-it, ndërsa CEZ-i nuk i është përgjigjur asnjë kërkese të qytetarëve. Nëse flasim për dëmet që kanë pësuar qytetarët e Himarës nga energjia elektrike që vjen në verë, nuk besoj se ka familje që të mos bëjë padi për prishje dhe djegie e pajisjeve elektro-shtëpiake”,- deklaroi ai.
Ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të CEZ shpërndarej të cilët kanë thënë se do të merren masa dhe njëri prej tyre ka propozuar ndërtimin e një nënstacioni elektrik në Himarë dhe Orikum.
Shkrime të tjera me interes:
- Bien eksportet, shkak mungesa e energjisë në janar dhe shkurt Tiranë- Eksporti gjatë këtij viti ka rënë me 20% në...
- Lezhë- Mungesa e ujit dhe energjisë, banorët paralajmerojnë protesta Lezhë- Lezha dhe rrethinat e saj po vuajnë prej mëse...
- Kapshticë- Ndërpritet puna në doganën greke, shkak mungesa e energjisë Kapshticë- Kalimi në doganën e Kapshticës ka disa minuta që...