Ministria e Brendshme kallëzim penal për letërnjoftimet e publikuara nga Partia Socialiste Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone

Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, ka depozituar sot në prokurorinë e Tiranës, kallëzimin penal me objekt: Kallëzim për veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave” dhe të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga nenet 189 dhe 267 të KP. Lajmi është bërë i ditur nga zëvendësministri Ferdinand Pone. “Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 Mars 2010, është deklaruar publikisht se ka prova e fakte të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false (letërnjoftimeve elektronikë)”, deklaroi Pone. Sipas tij, Ministria e Brendshme shpreh bindjen e plotë mbi pamundësinë e falsifikimit të dokumenteve origjinale të prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të BE-së e më gjerë.