Rama: Lëreni Majkon në tunelin e vet
Këshilltari i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, replikoi dje me deputetin socialist, Pandeli Majko, në lidhje me vizitën e kryediplomatit në Serbi. Luan Rama tha se “cilido që do të gjejë mundësinë apo hapësirën për të bërë kritikë, në këtë rast duhet të thotë, në çfarë ishte e gabuar vizita, në çfarë ishin të gabuara mesazhet që u transmetuan nga kjo vizitë”. Mendoj, tha ai, të mos sjellim në mendjen e publikut referenca individësh të tillë të pushtuar nga kriza e panikut, apo nga deliranca e xhelozisë. “Lëreni zotin Majko të endet në tunelin e vet, sepse nuk mund të flasë për patriotizëm në këtë kontekst dhe në këtë realitet të ri europianizues të krijuar në Ballkanin Perëndimor, një njeri që e thërrasin Majko, apo një njeri që kur ishte Kryeministër, mburrej që fëmijët i pagëzonte në kishat e Athinës”, u shpreh Rama. Shenja e parë e patriotizmit që duhet të shfaqë zoti Majko, vijoi ai, është nisja e procedurave për të ndryshuar mbiemrin, që shqiptarët të mos e thërrasin më Majko. “Apo nisja e procedurave për të çregjistruar fëmijën që ka pagëzuar në kishën e Athinës. Sepse Kisha Autoqefale e Shqipërisë është pjesë korpusit të vlerave historike, qytetare, patriotike dhe gjithashtu europiane të shoqërisë shqiptare”, u shpreh Rama.
#