Ministria e Brendshme reagon ndaj vonesës për certifikatat
Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj mendimeve që janë deklaruar për shkak të vonesës në shpërndarjen e certifikatave në mënyrë elektronike. Ministria, i cilëson të gabuara pretendimet se ka dështuar procesi i shpërndarjes së certifikatave elektronike.
Autoritetet e Ministrisë së Brendshme nuk kanë deklaruar ditën e djeshme për fillimin e këtij shërbimi por është përcaktuar kjo javë, e cila është në fillimin e saj, informacion ky që është transmetuar nga mediat e shkruara dhe vizive. Sipas ministrisë, përurimi i këtij shërbimi të rëndësishëm në rrugën e modernizimit të plotë të shërbimit të gjendjes civile dhe projekteve për regjistrin elektronik dhe dokumentet e reja të identitetit, do të kryhet në një nga ditët në vijim.
Mungon gjaku për talasemikët, mjekët fushatë në fshatra
Lushnje- Kërkesat e shumta e të sëmurëve për transfuzion gjaku, në mënyrë të veçantë të talasemikëve dhe mungesa e dhurimeve kanë detyruar punonjësit e bankës rajonale me qendër në Lushnjë të kërkojnë burime dhuruesish. Në kushtet e një situate që cilësohet alarmante, ata i janë drejtuar fshatrave dhe komunave me shpresën se ndokush do të dëgjojë apelin për të shpëtuar jetë njerëzish.
Mjeku i transfuzioneve, Mehmet Xhindoli, duke pranuar mungesën e gjakut, pohon nisjen e një fushate. “Kemi kërkuar të zbresim në terrenin konkret të zgjidhjes së problemit. Në qytet jemi ndeshur me shumë vështirësi që do të thotë se në qytet dhuruesit vullnetarë dhe me pagesë jenë në numrat njëshifror. Kemi biseduar me drejtuesit e komunave në fshat dhe shpresojmë se do arrijmë diçka pozitive. Nga takimet e para që kemi bërë me njerëzit në fshat kemi marrë premtime dhe shpresojmë se do sigurojmë disa rezerva gjaku për të zgjidhur emergjencat”,- tha mjeku Xhindoli.
Rezultati i parë i kësaj “fushate” ishte në komunën e Gradishtës ku banorët iu afruan vullnetarisht ekipit të specialistëve për marrjen e gjakut, në shenjë respekti dhe humanizmi për të sëmurët. Në Bankën e Gjakut në Lushnjë vijnë të sëmurë edhe nga disa rrethe si Vlora, Fieri, Berati. Angazhimi i institucioneve shëndetësore në rrethe për të siguruar rezervat përkatëse është në shifra të papërfillshme”,- thanë mjekët e Lushnjes.
13 Gusht 2008