ISHP: “Sëmundja e HIVAIDS ka prekur edhe 17 persona”
Sëmundja e HIV- AIDS-it ka prekur edhe 17 persona të tjerë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Koordinatori i Programit Kombëtar HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Klodian Rrjepaj, u shpreh se rastet e konstatuara flasin për një shtim të numrit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aktualisht në vendin tonë numërohen mbi 250 raste të të prekurve. Bazuar në numrin e personave të diagnostikuar dhe të raportuar, Shqipëria konsiderohet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV. Megjithatë, tendenca në rritje e numrit të rasteve dhe vlerësimet sugjerojnë një numër më të madh të rasteve të padiagnostikuara. Rrjepaj tha se ky fakt shtron domosdoshmërinë për përmirësimin në mënyrë të vazhdueshme të sistemit të vëzhgimit dhe promovimin e Qendrave të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar (VCT), në mënyrë të veçantë të grupeve vullnetare të popullatës. Nga 17 rastet e reja të raportuara deri tani, rezulton se 65 % janë meshkuj dhe 35 % femra. 70% e këtyre rasteve janë zbuluar në Tiranë, ku 50% të tyre e zë grupmosha 35 - 44 vjeç.
Shërbimi i ri i të alkoolizuarve, nis funksionimin e tij
Shërbimi i ri për trajtimin e të alkoolizuarve ka filluar nga puna dhe është gati të presë pacientët e parë. Për ngritjen e këtij shërbimi u punua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shkollën Europiane të Alkoologjisë me qendër në Udine (Itali), është në pritje për trajtimin e individëve të varur nga alkooli. Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Mati Pepa,u shpreh se ky shërbim është gati për të ofruar trajtim të specializuar, pasi është pajisur me mjetet e nevojshme dhe me 12 shtretër. Pepa tha se struktura e stafit përmban një mjek përgjegjës, 4 infermiere, një kryeinfermiere dhe një psikolog. Aktualisht, drejtoria e QSUT ka përzgjedhur edhe mjek që kanë mbaruar specializimin në Itali.
Kjo klinikë përbën të parin shërbim alkoologjik të mirëfilltë në vendin tonë, pasi individët e varur nga alkooli nuk do të trajtohen vetëm për çrregullimet e tyre organike. Klinika e re do të ofrojë një shërbim afatgjatë, ku do të ketë kombinim të psikoterapisë dhe terapisë farmaceutike.
13 Gusht 2008