Raport që nxit konflikt ndëretnik
Pas ngjarjeve të dhunshme të 17 marsit 2008, OKB-ja dërgoi një ekip hetimor për t’i hetuar këto ngjarje pas të cilave do të përpilohej një raport që do të prezantohej para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. KMDLNJ përkujton se ngjarjet e 17 marsit 2008 ishin shumë të dhunshme, të organizuara dhe të udhëhequra nga strukturat paralele në Mitrovicë, MUP-i i Serbisë dhe politika zyrtare serbe e Beogradit. Këto nuk ishin protesta as paqësore e as të drejta por, rebelim i planifikuar për ta kontestuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përligjur ndarjen në baza etnike të Kosovës. Janë demoluar dhe u është vënë flaka dy pikave doganore në veri, janë shkatërruar shumë automjete ndërsa, janë vendosur pika kontrolli në magjistralen e Ibrit me qëllim që të pengohet liria e lëvizjes së qytetarëve. Për çdo ditë janë organizuar protesta të serbëve ekstremistë në veri të Mitrovicës duke u thirrur në luftë kundër shqiptarëve. Gjithashtu është sulmuar pika kufitare në Merdare dhe në anën e Anamoravës që indikon qartë se sulmet kanë qenë të sinkronizuara. Ekstremistët serbë kanë hyrë në objektet e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë pasi që më parë nga aty i kanë përzënë punonjësit shqiptarë duke fituar liri për veprime të mëtutjeshme pasi organet e rendit nuk kanë vepruar me kohë dhe në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë. Me një vonesë të madhe dhe krejtësisht të paarsyeshme policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i kanë intervenuar duke i zhbllokuar objektet e uzurpuara me ç’rast serbët e rebeluar kanë përdorur të gjitha llojet e armatimit, nga armët e zjarrit deri te granatat e dorës dhe për pasojë një polic i UNMIK-ut, kontingjenti i Ukrainës, është vrarë dhe me dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe lënduar rëndë e lehtë.
Pjesëtarët e SHPK-së të kombësisë serbe ose kanë qenë në anën e rebeluesve ose nuk kanë intervenuar fare. Të gjithë serbët e arrestuar dhe të cilët janë transferuar në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë janë liruar pas 2-3 orëve me intervenimin e Tadiq-it dhe me pëlqimin e UNMIK-ut ndonëse, ka pasur prova të mjaftueshme që disa prej tyre të ndiqen edhe penalisht. Pastaj, ekstremistët serbë i sulmuan disa herë me radhë shqiptarët dhe joserbët e mbetur në veri te Lagja e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt. Gjithashtu, ekstremistët serbë e penguan ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Suhadoll, gjë që e toleruan UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Dihet shumë mirë roli i administratorit të Mitrovicës z. Galluçi, i cili pati rol tejet destruktiv dhe ishte shumë i anshëm, ishte në anën e ekstremistëve serbë. Andaj ky Raport Hetimor i prezantuar para KS të OKB-së është vazhdimësi e aktivitetit të Galluçit dhe gjithashtu vazhdimësi e lëshimeve që u bëhen ekstremistëve serbë në veri të Mitrovicës dhe në disa enklava në pjesën qendrore të Kosovës, si në Shterpcë. Ky raport duke mos e dënuar dhunën në mënyrë eksplicite vetëm sa hap rrugë për veprime të dhunshme në të ardhmen. Ky raport ndihmon në ndarjen funksionale të Kosovës sipas parimit etnik dhe legjitimimin dhe legalizimin e strukturave paralele, në radhë të parë të policisë etnike serbe e cila është fakt i kryer ngase pjesa dërrmuese e pjesëtarëve të SHPK-së të kombësisë serbe janë në shërbim të MUP-it të Serbisë dhe politikës zyrtare serbe.
Andaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë më përgjegjëse dhe më të vendosura në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit ngase aktualisht Republika e Kosovës as nuk ka integritet territorial e as nuk është sovrane. Përfaqësuesve të UNMIK-ut siç janë Galluçi dhe Zanieri u është lejuar hapësirë tepër e madhe për veprim destruktiv andaj, edhe dëmet që i kanë shkaktuar Kosovës janë shumë të mëdha. KMDLNJ vlerëson se situata e sigurisë vetëm sa po përkeqësohet me tendencë të përshkallëzimit të mëtutjeshëm. KMDLNJ përkujton gjithashtu opinionin se pas dhunës së policisë dhe politikës së UNMIK-ut më 10 shkurt, me ç’rast u vranë dy protestues paqësorë në demonstratat e organizuara nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe u lënduan rëndë dhe lehtë mbi 100 protestues paqësorë, OKB nuk dërgoi asnjë ekip hetimor në Kosovë, nuk doli me asnjë raport dhe nuk ndërmori asnjë masë ndaj dhunuesve që shtypën me dhunë protestën paqësore. Vetëm sa për përkujtim. Andaj kjo është edhe një arsye shtesë që ky raport i Ekipit Hetimor të OKB-së të hidhet poshtë si joreal, i anshëm dhe inkurajues për forcat destruktive.
13 Gusht 2008