Rreth 40 për qind e maturantëve braktisin Shqipërinë për studimet
Emanuela Sako
Rreth 40 për qind e studentëve shqiptar nisin procedurat për në universitetet e huaja. Megjithëse të dhënat statistikore nuk janë bazuar në studime të Ministrisë së Arsimit, autoritetet arsimore pohojnë për një shifër tepër të lartë të maturantëve aplikues.
Në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës mësohet se çdo ditë numri i maturantëve që legalizojnë diplomat dhe ndjekin procedurat e studimeve jashtë vendit është shumë i lartë. Arsyeja e konkurrimit të tyre jashtë vendit qëndron në cilësinë e studimeve, mundësitë për punësim që mund t’iu jepen jashtë vendit, apo një mënyrë e mirë për të rifilluar jetën në një vend europian. Maturantët kanë aplikuar kryesisht në vendet perëndimore se sa në ato lindore apo të tjera. Ndërsa degët që kanë preferuar janë të ndryshme, qoftë edhe ato degë që në universitetet tona nuk ekzistojnë.
Aplikimet
Regjistrimet pranë ambasadave ka disa ditë që kanë nisur, siç është rasti i Ambasadës Italiane, ku ka dhe numrin më të madh të aplikimeve. Studentët aplikues duhet t’i nënshtrohen disa procedurave për të përfituar një universitet në vendin që kanë përzgjedhur. Kështu, pas miratimit të kërkesës, në listën që është afishuar pranë ambasadës Italiane studentët do të fillojnë regjistrimet për në fakultetet përkatëse. Kështu, të gjithë ata që janë pranuar në provën e hyrjes duhet të kërkojnë një vizë për studim. Për vitin e ri akademik 2008/2009, qeveria italiane ka rezervuar 52 mijë vende të lira në dispozicion të studentëve jokomunitarë që do të studiojnë në Itali. Nga këto janë 46 mijë vende për në universitet, ndërsa 6 mijë vende të tjera të rezervuara për ata që zgjedhin Akademitë e Arteve Dramatike, të Dancës ose të Arteve të Bukura ose Konservatoret. Të gjithë studentët shqiptarë të cilët plotësojnë kërkesat për regjistrim pranë universiteteve shqiptare dhe që kanë kaluar me sukses të dy provat me shkrim e me gojë të provimit për njohjen e gjuhës italiane (CELI 3), kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për regjistrim paraprak pranë universiteteve italiane. Kërkesat do të nisen më pas, nga ana e Kancelarisë Konsullore të Ambasadës Italiane në Tiranë, drejt universitetit italian të përzgjedhur, i cili edhe do të vendosë në fund mbi pranimin e studentëve, sipas vendeve të rezervuara për studentët e huaj.
Provimi
Ambasadat e huaja kanë vendosur edhe datat e provimeve të gjuhës sipas procedurave që çdo ambasadë ka vendosur. Ndërsa për aplikantët e Ambasadës Italiane, data 3 shtator është përcaktuar nga autoritetet italiane si dita kur kandidatët për studentë nga Shqipëria duhet të kryejnë testin e gjuhës. Konsiderohen të përjashtuar nga dhënia provimit të Celi 3 vetëm studentët shqiptarë të cilët, kanë kryer liceun dygjuhësh italo-shqiptar. Sipas të dhënave paraprake nga Ambasada Italiane në vendin tonë, janë dërguar të gjitha kërkesat e 3 mijë kandidatëve për studentë, të cilët kanë aplikuar për në fakultetet fqinje. Pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Provimi i gjuhës italiane është i detyrueshëm jo vetëm për të ndjekur studimet e larta në këtë shtet, por për të marrë edhe konfirmimin për je fitues. Ndërsa për kurset e diplomimit me numër të limituar (Arkitektura, Mjekësia, Odontoiatria, Veterinaria, profesionet sanitare, Shkencat e Formimit primar) përveç provimit të gjuhës, janë parashikuar prova të tjera për t’u kaluar në lidhje me disiplina të veçanta. Brenda 12 dhjetorit, universitetet do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla të cilat aplikojnë italianët.
13 Gusht 2008