E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonohet procesi i shpërndarjes së certifikatave elektronike



Vonohet procesi i shpërndarjes së certifikatave elektronike, i cili duhet të kishte filluar dy ditë më parë. Ndryshe nga sa kishte lajmëruara Ministria e Brendshme dita e martë e kësaj jave nuk shënoi ditën e parë të shpërndarjes së certifikatave në mënyrë elektronike. Ditën e hënë të gjitha njësitë e gjendjeve civile bllokuan procesin e shpërndarjeve të dokumenteve të identifikimit që mbusheshin me shkrim dore, duke i paraprirë shpërndarjes s tyre në mënyrë elektronike. Sipas kryetares së njësisë Nr.5 në Tiranë, Jeta Seitaj ka qenë vetë Ministria që ka shpërndarë një urdhër të dytë për të vazhduar me metodën e vjetër të shpërndarjes. Por, bllokimi që iu bë punës një ditë më parë ka shkaktuar jo pak probleme në sportelet e shpërndarjes së certifikatave. Kjo pasi tashmë stafi punon me ngarkesë të dyfishuar. Ndërsa në Njësinë Bashkiake Nr. 9, shprehen se ende nuk dihet se kur do të fillojë zbatimi i këtij projekti, por iu është thënë se për dy apo tre ditë do të rifillojë shpërndarja në mënyrë elektronike. Sipas burimeve nga kjo njësi, arsyeja e vonesës është se disa njësi nuk kanë qenë gati për të vënë në zbatim projektin. Kjo, pasi shpërndarja do të fillojë menjëherë në të gjitha minibashkitë e kryeqytetit. Ndërkohë që iu është dashur që të punojnë me vrull, pasi numri i qytetarëve që drejtohet në sportelet e gjendjes civile të kësaj minibashkia është tepër i madh. Ardhja e emigrantëve ka bërë që të ket fluks kërkesa për marrjen e certifikatave dhe fluksi po përballohet nga punonjëset, duke i plotësuar me shkrim certifikatat. Punonjëset sqarojnë se në zyrat e tyre paraqiten rreth 300 deri në 400 persona në ditë, të cilët tërheqin deri në 500 certifikata në ditë. Zbatimi i metodës së informatizimit të certifikatave do t’iu lehtësonte mjaft punën në sportele. Kjo, pasi certifikatat do të printohen dhe nuk do të plotësohen me shkrim. Ndërkohë që ata i kanë gati në komjutera certifikatat standarde me të gjitha të dhënat për çdo person apo familje, ato familjare, personale, të martesave, vdekjeve etj. Sipas tyre, ata kanë rreth 4 ditë që merren me zbatimin e këtij projekti për t’u praktikuar dhe për të mos pasur vonesa në sportelet e tyre. Ndërsa nga drejtoria e gjendjes civile ende nuk jepet një version zyrtar për shtyrjen e këtij procesi që pritet të krijojë mjaft lehtësira duke nisur nga shpejtësia e përgatitjes deri te saktësia në dhënien e gjeneraliteteve.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›