Ministria e Brendshme, shtesë fondi për 200 specialë të rinj
Policia e Shtetit do të shtojë numrin e efektivave të saj me 200 oficerë të rinj. Lajmi është bërë i ditur dje nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili duke folur mbi buxhetin që Ministria e Financave i ka akorduar ministrisë së tij dhe agjencive që janë në varësi të saj, ndërmjet të tjerash ka theksuar se është parashikuar një shtesë fondi për paga dhe sigurime, pasi në vitin e ardhshëm parashikohet që të punësohen edhe 200 policë të tjerë. Kontingjent ky që sipas ministrit do t’i shtohet patrullës së përgjithshme dhe forcave speciale. Një parashikim ky që është kundërshtuar fort nga deputetët e opozitës, por jo vetëm, të cilët kanë kërkuar nga ministri që më mirë këto lekë t’i përdorë për kontingjentin aktual të uniformave, sesa të kërkojë shtim të numrit të tyre. Sipas nënkryetarit të komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, kjo është një lëvizje e pakuptimtë, pasi një gjë e tillë nuk kërkohet as nga partnerët ndërkombëtarë. Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimin se një gjë e tillë do të përdoret për arsye politike. Megjithatë, vetë ministri ka pranuar se ka një fryrje të administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me atë që ai e quajti ‘pjesë burokratike’, për të cilën ka paralajmëruar dhe një reformë. Një nga pikat e tjera të kundërshtuara fort në buxhetin e parashikuar për Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë edhe shuma e parave e akorduar për uniformat e policisë. Sipas deputetëve të opozitës është e panevojshme në këto momente që të përdoren më shumë se 4 milionë dollarë për të blerë 8500 uniforma ceremoniale për policinë, ndërkohë që uniformat blu kanë shumë nevoja të tjera. Por lidhur me këtë shqetësim, ministri Nishani ka sqaruar se është më se e nevojshme që policia të ketë uniformën e saj të re që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Një çështje që ka ngritur debat ka qenë dhe ajo e shpenzimeve operacionale. Deputeti i opozitës, Asllan Dogjani, ndërmjet të tjerash ka theksuar se është sa qesharake aq edhe e dhimbshme që rrugëve shihen forca të policisë, të cilat shtyjnë makinat për shkak se u ka mbaruar karburanti. Një gjë të tillë ministri Nishani e ka konsideruar të pavërtetë, pasi sipas tij policia nuk ka vuajtur për karburant për makinat.