E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS miratojnë Kodin Rrugor

Mazhoranca dhe opozita kanë konfirmuar dje se konsensusi i arritur mes tyre është i vlefshëm ende. Komisioni i Ligjeve ka miratuar me konsensus nismën e dytë, me anë të së cilës ndryshohet Kodi Rrugor; bëhet fjalë për projektligjin që nuk u miratua një javë më parë dhe që ka të bëjë me një rregullim për autoshkollat. Gjatë seancës së djeshme, po me konsensus socialisteve iu pranuan edhe dy kërkesa të tjera, sipas të cilave do të merret informacion nga ministri i Transporteve për ndryshime të tjera që do të propozohen së shpejti për Kodin Rrugor dhe do të dëgjohen grupet e interesit. Ndërkohë po gjatë mbledhjes së djeshme, komisioni i Ligjeve ka diskutuar edhe për buxhetet e një sërë institucioneve që mbulohen dhe japin llogari para tij, siç është Ministria e Drejtësisë, Prokuroria, KLD dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Me përjashtim të Prokurorisë, e cila shfaqi vetëm disa pretendime të vogla për disa zëra të buxhetit, institucionet e tjera u shprehën dakord me paratë e vëna në dispozicion nga qeveria për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të diskutohet buxheti i institucioneve të tjera, si Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit apo dhe ILDKP. Në shkresat paraprake që kanë çuar këto institucione, KLD-ja shprehet dakord me buxhetin e vënë në dispozicion, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese dhe Avokati i Popullit kanë paraqitur një sërë ankesash duke kërkuar më shumë lekë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, zëri më i cenuar është ai i pagave dhe sigurimeve, të cilat nuk përballojnë pagesat e 53 punonjësve që ka ky institucion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›