E Diel, 1 Nëntor 2026

Shaqiri: SHISH lëviz me 15 makina, dietat vetëm për 11 agjentë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 22-11-2011 13:57

Kreu i Shërbimit Informativ kundërshton buxhetin e dhënë nga qeveria dhe kërkon 950 milionë lekë shtesë. “Me fondin e dhënë mund të mbajmë me dieta vetëm 11 agjentë, në gjendje pune janë vetëm 15 makina nga 250, aparatet e interceptimit lënë për të dëshiruar”

Viti 2012 parashikohet të jetë një vit i vështirë për Shërbimin Informativ Shtetëror.

Agjentët e tij do ta kenë të pamundur që të kryejnë detyrat dhe misionet e tyre të përditshme, pasi do mungojë mbështetja e duhur financiare. Kjo pasi buxheti i parashikuar nga Ministria e Financave për vitin e ardhshëm për këtë institucion parashikon shkurtime fondesh, çka për kreun e SHISH-it, Bahri Shaqiri, rrezikon të pengojë funksionimin normal të këtij institucioni, kryesisht në realizimin e detyrave ligjore për parandalimin dhe zbulimin e krimit si dhe garantimin e sigurisë kombëtare. Një shqetësim të tillë Shaqiri e ka shprehur dje para deputetëve në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku ka zhvilluar një diskutim me dyer të mbyllura për projektbuxhetin e vitit 2012.

SHISH

Kreu i SHISH-it ka paraqitur dje pretendimet e tij në lidhje me atë që parashikon projektbuxheti i shtetit për institucionin që ai drejton, për vitin e ardhshëm. Me kërkesë të vetë Shaqirit mbledhja është zhvilluar pa praninë e mediave, pasi informacioni që mund të diskutohej në të mund të ishte i klasifikuar. Vlen të përmendim këtu se ky ka qenë viti i parë që projektbuxheti i këtij institucioni diskutohet me dyer të mbyllura. Ndërkohë burime nga mbledhja, të cilat nuk e kanë konsideruar informacionin e diskutuar në tryezë si sekret, kanë shpjeguar se gjatë këtij takimi SHISH ka risjellë të njëjtat shqetësime që ka pasur edhe në dy vitet e shkuara për sa i përket trajtimit financiar. Pavarësisht se në krahasim me buxhetin e rishikuar të një viti më parë buxheti i këtij institucioni për vitin 2012 parashikohet të jetë 25 milionë lekë të reja më pak, kreu i SHISH-it nuk ka kërkuar vetëm këtë diferencë, por edhe një shtesë tjetër, e cila në total shkon në 96 milionë lekë të reja ose afro 1 milion dollarë më shumë. Duke folur para deputetëve dhe duke përfituar nga fakti se mediat nuk ishin të pranishme, Shaqiri mësohet se ka qenë i drejtpërdrejtë në qëndrimet e tij, duke theksuar se në projektbuxhet zëri për mallra dhe shërbime operative në krahasim me një vit më parë ka një përgjysmim. Ndaj mësohet se ai ka paralajmëruar komisionin se në këtë mënyrë rrezikohet seriozisht puna operative e agjentëve të këtij shërbimi. Madje sipas tij, nga 950 punonjës që ka ky institucion, me buxhetin e vënë në dispozicion për vitin e ardhshëm vetëm veprimtaria e 11 prej tyre mund të mbulohet me dieta për shërbim. Gjithashtu siç mësohet, një tjetër shqetësim që ka ngritur ai ka qenë dhe baza materiale, si letra, aparaturat ndihmëse, aparaturat e përgjimit, apo edhe karburanti e makinat. Madje duke u ndalur te makinat, mësohet se Shaqiri ka sjellë shifra tronditëse, pasi nga rreth 250 makina që ka në dispozicion ky institucion vetëm 15 prej tyre janë në gjendje pune, 50 të tjera janë 100 % të amortizuara, ndërsa pjesa tjetër 60-80 % të amortizuara.

Opozita

Duke iu referuar shifrave dhe shqetësimeve të ngritura nga Shaqiri, deputetët e opozitës nuk kanë kursyer kritikat e drejtpërdrejta për qeverinë dhe mazhorancën, e cila për të disatin vit radhazi sjell buxhet më të pakët sesa janë realisht kërkesat e këtij institucioni. Kështu, deputetët Ilir Gjoni, Gazmir Bizhga apo edhe Paulin Sterkaj mësohet se kanë dalë në mbrojtje të kërkesave të SHISH-it, duke i konsideruar ato të ligjshme. Madje Gjoni mësohet se e ka konsideruar të qëllimshme këtë lloj politike që ndjek ekzekutivi ndaj këtij shërbimi, pasi ky është një nga të vetmet institucione nga ato të sigurisë kombëtare që ka ulje të buxhetit, sidomos në zërin e shpenzimeve operative. Sipas deputetëve të majtë, e gjithë kërkesa që ka ky institucion kap vlerën e 1 milion dollarëve, aq sa sipas tyre nuk do t’i mjaftonin qeverisë as për festimet me rastin e heqjes së vizave apo ato për përvjetorin e lëvizjes studentore. Në përfundim të debatit, komisioni i Sigurisë ka vendosur me unanimitet që t’i kërkojë komisionit të Ekonomisë t’i shtojë SHISH-it një fond prej 50 milionë lekësh të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›