Ministria e Bujqësisë në "maternitet"
Etika e qeverisjes në Shqipëri u referohet standardeve morale të një subjekti politik që është në mazhorancë. Në demokracitë e shëndetshme perëndimore, strukturat e institucioneve qendrore, janë të qëndrueshme, të kualifikuara, me kulturë administrative e profesionale dhe nuk ndryshojnë sa herë që ndryshon mjedisi politik. Rrotacioni i qeverive ka sjellë transaksione midis politikanëve e ministrave të radhës dhe për rrjedhojë nuk janë përshtatur si duhet me inkurajimin e kompetencës morale dhe etike të nevojshme, për t‘u shërbyer vlerave më të larta të nëpunësit në strukturat dikasteriale. Ministrat duhet të jenë të ndërgjegjshëm e të vetëdijshëm për fuqinë organizative të departamenteve të tyre, për të kompozuar si dirigjentë të institucionit, për të projektuar e garantuar objektiva afatgjata, të realizueshme e të suksesshme. Një strukturë eficiente, me staf të përgatitur, me aftësi konkurruese në vlera maksimale profesionale, ruan homogjenitetin e interesave dhe synimeve që kërkon të arrijë një kabinet që ka ambicie për të kryer reforma zinxhir në sektorët prioritarë. Ndryshimet që kanë ndodhur në mjedisin politik kanë treguar se nuk i kanë rezistuar dot iluzionit të krahasueshmërisë dhe transformimit të pushtetit nga e majta tek e djathta. Po të studiosh strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, në evolucionin e sistemeve politike, apo transformimeve ekonomiko-shoqërore, do të gjesh konfigurime që burojnë, jo nga një rrjedhojë logjike e peshës së problemeve, por nga forca e presionit të politikës dhe preferencat racionale të karakterit subjektiv të ministrit të radhës. Po të shikojmë lëkundjet e lavjerrësit të ndryshimeve të strukturave të modeleve të qeverisjes në vitet e demokracisë, do konstatojmë se gjatë qeverisjes së të majtës, ka pasur një ekuilibër më të madh midis përgjegjshmërisë hierarkike të vlerave intelektuale e profesionale. Këtë dukuri e shpreh argumenti se në qeverisjen e së majtës, 2001-2005, me ministër Agron Dukën, në strukturën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit ka pasur tre drejtorë nga spektri i djathtë. Ky qëndrim u përligj nga filozofia e lidershipit të Partisë Socialiste, se duhet të bashkëqeverisim me kriterin e konkurrencës, mbi bazën e hierarkisë së vlerave dhe meritokracisë. Me ardhjen në pushtet të së djathtës, në vitin 2005, jo vetëm që u bënë spastrime operacionale në nivel drejtorësh, por mbi bazën e bindjeve politike, u hoqën edhe shumë specialistë të aftë e të afirmuar me grada e tituj shkencorë, deri edhe profesorë. (Po të ketë ndonjë kontestim nga ithtarët e së djathtës, në një analizë më konkrete, mund të japim emrat dhe funksionet e të larguarve për motive politike. Ky mund të jetë objekt i një shkrimi të veçantë.) Pa dashur të radhisim emra konkretë, se ata janë të shumtë, veç se nënvizojmë se ata janë liderë në fushën e tyre. Ky operacion politik, e dobësoi së tepërmi nivelin profesional të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Edhe liderë të së djathtës në fushën e bujqësisë, në biseda konfidenciale, e pohojnë se stafi aktual është më i dobëti në 19 vitet e qeverisjes në demokraci. Apostujt e kësaj paradigme e motivojnë si një fleksibilitet në emër të ndryshimeve reformuese. Emërtimet politike erdhën nga premtimet parazgjedhore që u manifestuan dukshëm me presionin e vazhdueshëm të militantëve, nga klientelizmi, krahinarizmi e nepotizmi. Së bashku në kor e sunduan situatën kaotike në administratën ministrore. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit, në mandatin e vitit 2005 shpalli katër prioritetet e saj afatgjata. Ato ishin: pemëtari, perimtari, vreshtari dhe blegtori. Në këtë kuadër u ndërmor një aksion i bujshëm për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj. Përballë këtyre angazhimeve përjetojmë dilema për trashëgiminë profesionale që ka struktura e kësaj ministrie. Besnikëria politike dhe përkushtimi militant-revolucionar, nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar sfidat e mëdha që kishte përpara bujqësia shqiptare. Struktura gjithëpërfshirëse e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit, (siç qe emërtuar gjatë, me oreks për të bërë gjëra të mëdha) priste devotshmëri dhe shërbim të besueshëm nga kabineti i ri, pa pasur parasysh performancën profesionale dhe intelektuale të stafit të ri militant. Të shkelësh në dyert e Ministrisë së Bujqësisë dhe të hapësh të katër kanatat e dyerve të strategjisë prioritare, e ke vështirë të gjesh specialistë të aftë që të japin përgjigje autoritare, profesionale. Ata që kanë mbetur janë pak. Nuk ka simbole të shkencës dhe dijes bujqësore ku mund të këshillohesh. Ky sfond keqardhës nuk ka qenë në asnjë kabinet ministror të bujqësisë në vitet e pluralizmit politik. Përgjigjja institucionale për këtë situatë kritike nga hierarkia shtetërore, motivohet me postulatin se qeveritë në demokraci merren me politikat ekonomike, duke injoruar përgjegjshmërinë e prodhimit. Në këtë vështrim, harrohet të bëhet dallimi midis politikave partiake me politikat ekonomike. Shtetarët e sotëm, të mbërthyer në mbretërinë e kompromiseve dhe aferave të aktorëve politikë, e shmangin përgjegjshmërinë institucionale në sferat drejtuese. Katër shtyllat që mbajnë në këmbë aktualisht këtë ministri, janë: militantizmi, krahinarizmi, nepotizmi dhe klientelizmi, ndërsa meritokracia është në minoritet. Sektori i bujqësisë trashëgoi një staf specialistësh me një performancë të lartë profesionale, që konkurronin me homologët e tyre në vendet europiane me bujqësi të zhvilluar. Në Ministrinë e Bujqësisë gjejmë emra të mëdhenj të shkencëtarëve si Gaqo Tashko, Piro Dodbiba, Mentor Përmeti etj. Këto resurse njerëzore i gjeje edhe në shumë rrethe të vendit, duke filluar nga Jugu në Veri. Duke u nisur nga Saranda me Lutfi Bajramin, në Gjirokastër Rystem Dobi, në Vlorë Mëno Gjoleka e Ejup Mite, në Fier Hasan Halili, në Lushnjë Fejzo Pashai e Vait Petani, në Durrës Andon Papinjgji, në Tiranë Petrit Kalakula, Hysen Çobani e Teki Tartari, në Shkodër Hysen Laçej e Ahmet Osja, e shumë e shumë emra të tjerë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me traktatet shkencore për bujqësinë. Ata janë meteorë të bujqësisë shqiptare. Janë pasuri që i shërbejnë kombit për të ndryshuar fytyrën e vet. Njerëzit e ditur janë perla në gjirin e shoqërisë, që duhen administruar me efektivitet për emancipimin e mëtejshëm të saj. Shumë personalitete të bujqësisë shqiptare në vitet e demokracisë, jo vetëm që nuk janë vlerësuar, nderuar e dëgjuar nga drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, por janë anashkaluar e asfiksuar, duke i zëvendësuar me militantë të radhës, pa integritet profesional. Vendet e zhvilluara perëndimore ku ne duam të aderojmë, janë të tilla se kanë bujqësi të zhvilluar dhe fshat të përparuar. Shqipëria do ndryshojë kur të ndryshojë bujqësia dhe fshati. Nuk mund të ketë Shqipëri të përparuar me bujqësi të prapambetur. Emrat e shumë specialistëve me vlera intelektuale e profesionale, i gjejmë tek enciklopedia "Historia e Bujqësisë Shqiptare". Por ministrat që vijnë e shkojnë nuk kanë kohë të lexojnë, veç dinë të tenderojnë. Memoria e bujqësisë shqiptare është e shkruar në shtypin bujqësor. Revista "Bujqësia Shqiptare" ka një moshë 88-vjeçare, që do ta kishin zili shumë simotrat e saj të sektorëve të tjerë. Ky organ është botuar pa ndërprerje edhe në kushtet e Luftës së Dytë Botërore. Por, fatkeqësisht u ndërpre pa asnjë motivacion gjatë vitit 2006, kur qeveria ndërmori reforma për ndryshimin (shkatërrimin) e institucioneve të bujqësisë. Një akt i tillë do mbetet një njollë e zezë në historinë e shtypit bujqësor shqiptar. Edhe kur filloi të botohej, në faqet e saj do lexoni banalitete të politikës, ku në faqe të tëra shahet Edi Rama, sikur të mos ketë në tregun mediatik mbi 30 gazeta të shtypit periodik. Ky fenomen nuk ka ndodhur për asnjë rast më parë, sepse ajo është revistë teknike. Duke u shpërbërë institucionet kërkimore-shkencore, duke i kthyer me profil menaxhues, në ngjashmëri me Drejtoritë e Bujqësisë në rrethe, shkenca bujqësore ka pushuar së qenuri. Kjo krizë studimore ka bërë që edhe në buletinin e "Shkencave Bujqësore" të botohen shkrime të përsëritura nga vitet e mëparshme, duke i arnuar apo kthyer si një kostum i vjetër. Paaftësia është mamia e gjithë të këqijave. Por, paaftësia kur shoqërohet me mungesë profesionalizmi, bëhet më kërcënuese. Një drejtues i aftë afron rreth vetes specialistë të aftë. Por rëndom shohim se edhe këshilltarët në tërë piramidën shtetërore i marrin të rinj, për të urdhëruar, për të këshilluar, e jo për t‘u këshilluar. Praktika në vitet e pluralizmit ka treguar se këshilltarët më të afërm të drejtuesve të kabineteve qeveritare kanë qenë gratë ose fëmijët e titullarëve. Duke injoruar vlerat e meritokracisë, drejtuesit e lartë inkurajojnë pavarësinë vetëreflektuese dhe synojnë të sigurojnë një mjedis institucional brenda të cilit mund të lulëzojë sjellja etike, sipas kodit të tyre moral. Duke shkelur mbi hierarkinë e vlerave, ministrat afrojnë rreth vetes të "bindurit" dhe largojnë të "bezdisshmit". Kështu sigurojnë e ruajnë qetësinë institucionale, pa marrë parasysh përfshirjen pozitive të prirjeve dhe aftësive të stafit. Në qeverisjen demokratike, shkelet etika zyrtare, duke nëpërkëmbur personalitetin e nëpunësit civil. Nuk janë të rralla rastet kur shkarkohen, largohen, apo lëvizen drejtorë, nëpunës e zyrtarë të lartë nëpërmjet letrave, pa u thirrur nga titullari, sikur të jenë sende pa vlerë. Ky nuk është një fenomen i izoluar për qeverisjen e djathtë apo të majtë, por gjithëpërfshirës në paradën e kabineteve që kanë parakaluar në qeverisjet pluraliste. Ironia shkon deri aty sa një ish-ministër në qeverisjen e majtë, mori vesh largimin nga detyra nëpërmjet shtypit. Kjo nuk është një fatkeqësi personale, por institucionale e shoqërore. Rastet e shumta në vitet e demokracisë flasin për një mentalitet bajraktarizmi primitiv, ku pushtetarët e lartë, shtetin e quajnë pronë të vetën. Kjo mënyrë sjelljeje tregon se pushtetarët e shohin shtetin si pronë private. Mjafton të kujtojmë se në sistemin e centralizuar nuk lëvizje dot një brigadier, pa e thirrur e motivuar, pa folur këtu për drejtorë apo ministra që ishin nomenklaturës së lartë shtetërore. Për drejtues me mentalitet adoleshent, këto veprime konsiderohen normale. Përgjegjshmëria demokratike në sferën drejtuese të stafit të Ministrisë së Bujqësisë kërkon të vendoset një ekuilibër delikat kontributesh sipas hierarkisë së vlerave midis militantëve dhe specialistëve të karrierës. Ky ekuilibër arrihet me struktura dinamike, që u krijojnë hapësirë veprimi me mendim profesional dhe nxisin potencialin e tyre intelektual. Mbivendosja e drejtorive, strukturat joeficiente që janë krijuar për hir të kalorësve, mbahen gjallë e paguhen prej vitesh stafe të pa motivuara.
Ministria e Bujqësisë, me emrin saj të gjatë, po jeton ciklin e "maternitetit". Le të presim me durim se çfarë krijese do sjellë në jetë...
Ministria e Bujqësisë, me emrin saj të gjatë, po jeton ciklin e "maternitetit". Le të presim me durim se çfarë krijese do sjellë në jetë...