E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Bujqësisë gjobit 700 subjekte në 5 muaj, siguria ushqimore problematike

Shoqata e Konsumatorit: Cilësia e ushqimeve alarmante, shqiptarët blejnë produkte të skaduara e pa vulë

Cilësia e ushqimit në vendin tonë, gjithmonë e më tepër është larg standardeve për konsum. Alarmi vjen nga Shoqata e Konsumatorëve specialistët e së cilës ngrenë alarmin se shqiptarët blejnë për vaj ulliri, vaj vegjetal të bashkuar me esencë kineze, bukë me

miell të cilësisë shumë të dobët dhe të përpunuara me maja dhe kimikate përforcues, si dhe salca prej domateve të kultivuara me OMGJ. Kështu në vendin tonë një prej probleme më të spikatur siguria ushqimore, e cila ndikon direkt në shëndetin e konsumatorëve. Edhe pse nga inspektoriatet e inspektimit në Ministrinë e Bujqësisë, kohët e fundit janë shtuar kontrollet në subjekte të ndryshme që tregtojnë produkte ushqimore, e në subjektet të cilat tregtojnë produkte mishi, sërish gjendja e sigurisë së ushqimeve, mbetet problematike. Sipas specialistëve pranë Ministrisë së Bujqësisë, që prej 5 muajsh kontrollet për sigurinë e produkteve janë shtuar dhe inspektorët kryejnë pothuajse katër inspektime në javë, e nga këto janë gjobitur 700 subjekte të cilat janë konstatuar me shkelje. Ndërkohë, sipas specialistit edhe pse puna nga inspektorët është në vazhdim e sipër, një prej problemeve është moskoordinimi i pushtetit vendor sidomos në zonat bregdetare se ku edhe zbarkohen produktet e importuara nga jashtë. Në këtë kontekst edhe përsa i përket kontrolleve në kryeqytet të subjekteve që tregtojnë e prodhojnë produkte ushqimore, Bashkia e Tiranës nuk kryen kontrollet e duhura. Ndërkohë që nga inspektorati i Kontrollit të Ushqimeve bëhet e ditur se vetëm në një periudhë prej 5 muajsh, në qarkun e Tiranës janë asgjësuar 400 kv ushqime, të cilat kanë skaduar. Gjithashtu probleme shumë të mëdha vijnë edhe nga konsumimi i mishit, i cili është jashtë standardeve për konsum.


Kontrolli
Problem shumë i madh është dhe mos kontrollimi i mishit. Përveç mishit, probleme të mëdha vijnë nga ushqimet gjenetikisht të ndryshuara, si edhe ato ushqime të cilave u ndërrohet data e skadencës apo edhe atyre produkteve  të cilat tregtohen edhe pse nuk kanë asgjë të përbashkët me emrin e produktit. Vaji vegjetal i përzierë me esencë kineze, i cili shitet për vaj ulliri; salca e domateve me kripëra shumë më të larta se normalja; dhe cilësia e dobët e miellit i përforcuar me kimikate, dhe tregtohet për bukë, nuk janë të vetmet produkte që sjellin probleme në shëndetin e konsumatorëve. Lista bëhet edhe më e gjatë për qumështin dhe nënproduktet e tij. Margarina e shoqëruar me ngjyrosës që blihet për gjalpë. Nisheste e përpunuar që blihet për djathë, apo edhe fruta, të cilat janë ruajtur me kimikate për më shumë se një vit në magazina dhe tregtohen për fruta të freskëta. Inspektorët e sigurisë ushqimore kanë arritur të bllokojnë dhe më pas të asgjësojnë gati 400 kuintalë ushqime, të cilave u kishte kaluar data e skadencës dhe që ishin në treg për shitje. Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së konsumatorit ka kryer kohët e fundit një sërë kontrollesh në tregjet ushqimore për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e mallrave që tregtohen. Inspektorët e sigurisë ushqimore kanë arritur të bllokojnë dhe më pas të asgjësojnë gati 400 kuintalë ushqime, të cilave u kishte kaluar data e skadencës dhe që ishin në treg për shitje. Janë realizuar kontrolle në 310 subjekte prodhuese dhe tregtuese të produkteve ushqimore. Miratimi dhe kontrolli i tregjeve bëhet nga Pushteti Vendor, ndërsa kontrollin e kushteve higjeno-sanitare e kryejnë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë. Tjetër problem i konstatuar është dokumentacioni shoqërues i mallrave që vështirëson identifikimin e subjekteve prodhuese ose importuese.


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Pak kohë më parë është inauguruar edhe Autoriteti Kombëtar të Ushqimit (AKU), i cili do të merret me sigurinë ushqimore në vendin tonë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është krijuar si pjesë përbërëse e një programi për të përmirësuar sigurinë ushqimore në Shqipëri. AKU, si një institucion në vartësi të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, siguron një nivel të lartë të mbrojtjes së qytetarëve si dhe synon të rikuperojë besimin, por dhe ta garantojë atë për produktet ushqimore në vendin tonë. Ky institucion kryen detyrën e vlerësimit shkencor të rrezikut për sa i takon produkteve ushqimore jo vetëm për njerëz por edhe për kafshë si dhe bimë. Strukturat në të cilat mbështetet janë të përbëra nga ekspertë të kualifikuar për vlerësimin e rrezikut, si dhe kanë një eksperiencë të gjatë në këtë fushë.


Arta AGOLLI

Last Updated on E Merkure, 09 Qershor 2010 19:47

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›