E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjan Sukniqi: Zorba, baleti filozofik që sjell mentalitetin real ballkanik

Në Teatrin e Operës dhe Baletit pritet të ngjiten rreth 200 artistë shqiptarë

Në vijim të sezonit artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit këto ditë pritet të shfaqet vepra e njohur me përmasa botërore Zorba, e cila është cilësuar si vepra më e rëndësishme e baletit grek që diskutohet gjerësisht në botë. Kjo vepër, e cila ka korrur

një sukses botëror vihet për herë të parë në skenën shqiptare të operës dhe përbën risi. Me muzikë të emrit të madh grek Mikis Theodorakis, shfaqja e baletit vjen në skenën shqiptare nga një tjetër emër i njohur i koreografisë shqiptare, Arjan Sukniqi, i cili së bashku me artistët e TKOB, por dhe të tjerë të ftuar po punon për të sjellë në skenë baletin premierë Zorba. Veç solistëve shqiptarë në këtë kryevepër botërore që mbyll dhe sezonin artistik në TKOB, janë të ftuar dhe dy balerinë të njohur shqiptarë, por që prej gati dy dekadash jetojnë dhe punojnë në Greqi. Janë pikërisht balerinët e njohur Altin Koruti në rolin e Zorbës dhe Bledi Latifi në rolin shkrimtarit Xhon. Puna dhe emri i koreografit Arjan Sukniqi premtojnë për net të mbushura me atmosferë në skenën e TKOB. Në një prononcim të tij, koreografi Arjan Sukniqi zbulon disa detaje mbi veprën e baletit. Në skenë do të jenë shumë artistë, solistë, kori, etj. Muzika vjen nga Miki Theodorakis. Ky është një balet filozofik, ku në termën e saj është i ndërthuru një antagonizëm mes dy mentaliteteve. Dy mentalitete, që nisen nga një pikënisje, që do të thotë që kjo ka lidhje me jetën, më mënyrën se si e shikojmë jetën, se si e përballojmë atë. Në fund  është ideja se kush e shijoi më shumë këtë jetë, ky që e pa me syrin pragmatist apo ky që e pa me syrin praktik, tregon koreografi Sukniqi. Dy rolet kryesore koreografi i njohur ia pabesuar dy balerinëve të suksesshëm shqiptarë, të cilët pas gati dy dekadash vijnë në skenën shqiptare. Në shfaqje ne kemi Xhonin që është një shkrimtar dhe do të jetë Bledi Latifi, një intelektual dhe i shkolluar në perëndim dhe Zorba që interpretohet nga Altin Koruti, i cili është një fshatar shumë i mençur që pa dijeninë e tij mbart filozofinë e Niçes, që gjithmonë gjërat i shikojnë në realitete objektive në zhvillimin e tyre. Ngjarjet janë në vitet e para të shekullit të kaluar dhe zhvillohen në Kretë, ku tregohet se çfarë është Kreta. Zorba është një aventurier, i cili ka shëtitur në të gjithë botën, pohon mbi veprën Sukniqi. Ndërkaq, i pyetur se çfarë përfaqëson për të kjo kryevepër botërore ai përgjigjet: Zorba për mua është një hero i mentalitetit real ballkanik, dhe është një personazh, i cili në të gjithë mënyrat që mund të zhvillohet shoqëria, ai mund të ishte një shqiptar, një grek, turk etj. Vepra e rëndësishme e baletit grek, Zorba, ka angazhuar rretr 200 artistë në tërësinë e saj, edhe sipas vetë koreografit Arjan Sukniqi është një vepër e vështirë, pasi është një vepër kontemporane. Pra stili duhet ti përshtatet veprës, e cila ka një natyrë tjetër nga shumë vepra të tjera baleti. Ajo që e bën më të vështirë këtë vepër është se pjesa kontemporane është ndërthurur dhe me elementë të veçantë të baletit të stilit grek, ku ata kanë disa veçori. Ngjarja e kësaj vepre ndodh në Kretë (Greqi), ku dihet se vepra të tilla që kanë dhe karakter historik e mistik kanë shumë vështirësi. Sa i takon TKOB gjatë këtij sezoni artistik ka pasur disa premiera absolute. Kanë qenë operat Manon Lescaut, Anna Bolena, Jeta është ëndërr, baleti Delina etj. Ashtu siç ishte njoftuar, sezoni u hap me premierën Manon Lescaut, me muzikë të Puçinit, e realizuar nga regjisori Nikolin Gurakuqi. Po ashtu në vijim të veprave erdhi dhe Rigoletto, e cila ka njohur 3 variante skenike. Për herë të parë në vitin 1965, me regji të Luigj Gurakuqit, dirigjent Mustafa Krantja. Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortet Nina dhe Avni Mula. Në mars u rikthye pas 46 vitesh baleti shqiptar "Delina", krijim i Çesk Zadesë. Sezoni rinis në tetor me operën e kompozitorit gjerman Jacques Offenbach "Përrallat e Hoffmanit" (The tales of Hoffmann).


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Merkure, 09 Qershor 2010 18:45

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›