Bregu: SHISH, agjenci e qeverisë
Qeveria reagon pas sulmeve të opozitës për shkarkimin e Bahri Shaqirit nga kreu i SHISH dhe emërimin në krye të këtij institucioni të Visho Ajazit. Zëdhënësja e Ekzekutivit, njëherësh ministre e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje në një konferencë për shtyp se zëvendësimi i Shaqirit u bë tetë vjet pasi ai mori detyrën, ndërkohë që qeveria e PS-së, në dy mandate e ndryshoi tri herë kreun e këtij institucioni. Stuhia histerike e zotit Rama dhe shpurës së tij kulmuan pas lirimit nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Bahri Shaqiri, i emëruar në janar të 2005 në këtë detyrë nga qeveria socialiste. Zoti Rama që derdh lot, këto ditë, për largimin, në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të zotit Shaqiri dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Visho Ajazi, harron se në çdo vend të lirë të botës, Shërbimi Informativ është agjenci e ekzekutivit dhe jo pronë apo forum i ndonjë partie politike, u shpreh Bregu. Sipas saj Rama dhe suita e tij mediatike bëhen qesharakë kur çirren dhe vajtojnë se u zëvendësua pas tetë vjetësh drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërkohë që qeveritë socialiste, gjatë tetë viteve në pushtet, ndërruan tre drejtorë të këtij Shërbimi dhe nuk ngurruan të vendosin në krye të tij, në emër të depolitizimit, anëtarin e Kryesisë së PSsë, Fatos Klosin, të ndjekur nga shërbimet e vendit, për lidhje agjenturore me shërbime të huaja dhe të akuzuar botërisht si trafikantë armësh, i shkarkuar nga Kryeministri Majko për kontrabandë. Ministrja Bregu vlerësoi eksperiencën profesionale të drejtorit të ri të Shërbimit Informativ, të cilin e quajti një njeri jopartiak, me një karrierë akademike dhe ndër zyrtarët më të shkëlqyer. Qeveria ka besim të plotë se zoti Visho Ajazi Lika ka të gjithë integritetin, aftësitë dhe përkushtimin për të përmbushur me eficiencë dhe dinjitet të plotë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, detyrën e lartë, të besuar nga Presidenti i Republikës, u shpreh Bregu. Duke u ndalur te sulmet e opozitës, sipas së cilës maxhoranca po uzurpon të gjitha institucionet, ministrja e Integrimit i kujtoi opozitës vitet kur kjo e fundit ishte në pushtet dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura vinin nga radhët e saj. Sipas saj Qeveria u rikujton shqiptarëve se janë neobllokmenët ata që erdhën me dhunë në pushtet në vitin 97, që nxorën me dhunë dhe polici nga zyra kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zotin Rustem Gjata. Janë neobllokmenët ata që instaluan po me dhunë, në emër të pavarësisë së Gjyqësorit, si kryetar të Gjykatës Kushtetuese, anëtarin e byrosë politike të PSsë, Fehmi Avdiun, njeriun që në vitin 89 kishte dënuar me varje disidentë të pafajshëm. Në të kundërt, sipas Bregut, sot në krye të Gjykatës Kushtetuese është një gjyqtar që nuk i përket asnjë force politike. E njëjta situatë për përfaqësuesen e qeverisë është edhe në KLD, Bankën e Shqipërisë e Gjykatën e Lartë. Janë neobllokmenët ata që për të rrënuar pavarësinë e institucioneve shtetërore, vendosën në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në krye të Gjykatës së Lartë të vendit dhe Bankës së Shtetit, tre ministra të qeverisë socialiste, përkatësisht zotërinjtë Ilir Panda, Thimio Kondi dhe Shkëlqim Cani. Këta dy të fundit, njëherazi edhe anëtarë të Kryesisë së PS. Kurse sot, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka si nënkryetar një jurist të respektuar që ka punuar me ndershmëri prej 16 vjetësh në administratën e këtij shteti, asnjëherë anëtar i ndonjë partie.
MAJKO: LAJME TË KËQIJA NGA SHISH
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, i sheh jo të mira në të ardhmen marrëdhëniet e SHISH-it me politikën. Ajazi vjen nga një kohë e kaluar me shumë probleme në marrëdhëniet e institucionit të Shërbimit Informativ me politikën në marrëdhëniet e institucionit të Shërbimit Informativ me opozitën, dhe të jem i sinqertë, nuk pres lajme të mira pas kësaj për marrëdhëniet e këtij institucioni me politikën dhe në përgjithësi me shoqërinë. Qofsha i gabuar!, u shpreh Majko.
Rama në Twitter: Kreu i SHISH, jo pa konsultimin e SHBA
Kreu socialist, Edi Rama, iu përgjigj deklaratave të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, në lidhje me emërimin e kreut të ri të SHISH-it. Sipas Ramës, emërimi i Visho Ajazit nuk mund të bëhej pa konsultimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh strategjik të Shqipërisë. Keqardhje për furinë e sotme antiopozitare të qeverisë, po që kreu i shtetit dhe ai i SHISH-it janë shërbëtorë të KM, e thonë faktet, jo opozita! Edhe që kreu i shërbimit sekret shqiptar smund të emërohet pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik, është fakt i njohur botërisht. Po edhe që ky emërim i bërë në këto kushte është pjesë e përshkallëzimit të kapjes së shtetit, kjo duket açik! Koha e këtij pushteti po mbaron, shkruan Rama në adresën e tij në Twitter. Po dje, selia rozë, përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, iu përgjigj ministres Bregu duke thënë se po mbron bashkëpunëtorin e ish-kreut të SHIK-ut të 1997-s, Gazidede. Sot, ministrja e Çintegrimit u tregoi shqiptarëve përrallën e radhës. Ministrja e Çintegrimit, në vend që të kërkojë falje për dështimet e njëpasnjëshme në detyrën e saj, gjen guximin të justifikojë veprimin e Bujar Nishanit, i cili, si një shërbëtor i denjë i Kryeministrit, pa u konsultuar me asnjë prej aleatëve strategjikë të Shqipërisë, liroi nga detyra drejtorin e SHISH-it për ta zëvendësuar me një ushtar të Sali Berishës, thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste. Selia rozë kujton përmes deklaratës së saj të shkuarën e shërbimit sekret dhe detyrat e kreut aktual të tij, Visho Ajazi. Por, a mund të harrohen dot makabritetet e SHIK-ut të Gazidedes, pikërisht të atij institucioni që u kthye në dorën mafioze të Sali Berishës e që për drejtor të kundërzbulimit kishte pikërisht këtë akademik, siç i referohet ministrja e Çintegrimit?! Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se është vetë Sali Berisha me dorën e tij që e ka kthyer bashkëpunëtorin e Gazidedes në Tiranë për ta përdorur si ushtar. Të flasësh për pozicionet e kaluara të punës të këtij njeriu është e kotë, pasi në detyrën e re të drejtorit të SHISH-it ai është vendosur vetëm pasi ka dëshmuar gatishmërinë dhe besnikërinë e nevojshme në kohën kur ishte drejtor i kundërzbulimit në SHIK-un e Gazidedes, thuhet në deklaratën e Partisë Socialiste.