Noka: Do kapim vrasësin e dytë

Ministri, Flamur Noka
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, deklaroi dje se policia është fare pranë arrestimit të personit të dytë që ka marrë pjesë në tentativën e grabitjes ku mbeti e vdekur Fatbardha Tafa. Një ditë pas arrestimit të njërit prej autorëve të krimit, Aldo Hoxhës, 20 vjeç, ministri i Brendshëm së bashku me stafin e ngushtë të tij shkoi për ngushëllim në shtëpinë e familjes së Fatbardha Tafës në Hardhishtë të Shijakut. Gjatë deklaratës që dha për median pas vizitës në shtëpinë e viktimës së krimit të ndodhur më 7 gusht në Tiranë, ministri i Brendshëm Noka garantoi se policia është pranë kapjes së bashkëpunëtorit të kriminelit të vënë tashmë në pranga. Pasi u shprehu ngushëllimet të afërmve të gruas së vrarë, ministri Noka, në dalje të banesës në Shijak, u prononcua për median duke e nisur deklaratën e tij me një apel. U bëj thirrje Prokurorisë, gjykatave dhe Policisë që të jenë në lartësinë e detyrës që kërkon ligji dhe qytetarët për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, tha ministri Noka. Ai theksoi se dikasteri i tij ka vullnetin për të ndërmarrë të gjitha nismat ligjore për koordinimin e punës mes Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave në goditjen dhe parandalimin e krimit. Krimi do të goditet me të gjitha format dhe mjetet që parashikon ligji, tha ministri i Brendshëm, duke theksuar se nuk ka dallim mes veprimtarisë kriminale. Nuk ka krim rruge dhe krim të sofistikuar. Ka krim, dhe krimi duhet goditur. Krimi do të goditet në gjenezë dhe do të përballet me forcën e ligjit në të gjitha format që ai shfaqet, tha Noka. Duke iu referuar hetimeve për ngjarjen e ndodhur tek ish- Fusha e Aviacionit në Tiranë, ministri i Brendshëm deklaroi se policia bëri punë të lavdërueshme, në veçanti për kapjen dhe dokumentimin e provave shkencore. Po punojmë dhe shumë shpejt do të kemi rezultat për bashkëpunëtorin e kriminelit të kapur, theksoi ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Policia e Tiranës kaloi në shërbim të përforcuar që prej datës 7 gusht, kur në grabitjen e ndodhur te Fusha e Aviacionit u vra Fatbardha Tafa dhe u plagos motra e saj, Lumturie Gjana. Në lidhje me këtë ngjarje, pati një angazhim total të gjashtë komisariateve, që bënë shoqërime masive të personave të dyshuar, duke verifikuar plot 170 shtetas. Njëri prej tyre ishte pikërisht edhe Aldo Hoxha, person me precedentë penalë të mëparshëm. tr.so
Vëllai i Fatbardhës: Kapja e vrasësit na lehtëson
Jetmir Berzhilla, vëllai i Fatbardha Tafës, deklaroi dje se arrestimi i keqbërësit e ka lehtësuar gjendjen e familjes së 37-vjeçares pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Tiranë. Vëllai i Fatbardhës, Jetmiri, bashkëbisedoi dje me ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, gjatë vizitës që ky i fundit zhvilloi për ngushëllimin e të afërmve të viktimës. Falemnderit për punën që keni bërë dhe angazhimin tuaj, sepse na lehtëson sadopak arrestimi i keqbërësve, tha vëllai i gruas së vrarë. Shumë falemnderit, zoti ministër, edhe për praninë tuaj këtu, iu drejtua ai kreut të dikasterit të Brendshëm, Flamur Noka. Menjëherë pas krimit, familjarët dhe të afërmit e Fatbardha Tafës u bënë thirrje Policisë dhe Drejtësisë të zbulonin autorët e ngjarjes së rëndë.