E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtesise inspekton dosjen Aldo Bare

Ministria e Drejtësisë ka vendosur të inspektojë dosjen e Alfred Shkurtit, të njohur si Aldo Bare, me të gjitha vendimet gjyqësore dhe masat e sigurisë së dhëna ndaj tij.

Burime nga Gjykata e Krimeve të Rënda, thanë për “Abc neës” se do të kontrollohen të gjitha dosjet, nga dosja e themelit të çështjes e cila ka nisur në vitin 2006 e deri tek vendimi i gjykatës së Apelit i datës 3 tetor 2011.

Inspektimi i ministrisë së Drejtësisë duket se ka marrë shkas nga vendimi i Apelit për rrëzimin e vendimit për dënimin e Aldo Bares me burgim të përjetshëm dhe rikthimin e dosjes për rigjykim.

Pas pretendimeve të avokatit mbrojtës të Bares, Vladimir Meçe për shkelje të shumta proceduriale, gjykata çmoi se procesi në Shkallën e Parë ka pasur shkelje të rënda procedurale dhe për këtë arsye Aldo Bare do t’i nënshtrohet një tjetër procesi gjyqësor, me të tjerë gjyqtarë.

Vështirësia për caktimin e një trupe te re gjyqësore duket se do të zgjidhet me një kërkesë të re për KLD-në, me qëllim delegimin e një trupe gjyqësore, pasi të gjithë gjyqtarët kanë konsumuar të drejtën e gjykimit për bandën e Lushnjës. Rikthimi për rigjykim i çështjes i jep të drejtën Alfred Shkrutit për të kërkuar gjykim të shkurtuar çka do të thotë përfitimin e uljes së 1/3 së dënimit përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Aldo Bare akuzohet për të paktën 12 akuza, 5 prej të cilave janë për vrasje, ndërsa të tjerat pengmarrje, tortura dhe përdhunime të tmerrshme, të gjitha pjesë e jetës së një ish-polici.

Pavarësisht akuzave të shumta, Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm vetëm për vrasjen e Xhevat Demirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›