E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robert Hand Shqiperia perparime persa i perket demokracise

Njëzetë vjet pas rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, një prej anëtarëve të delegacionit të parë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara që shkoi në Shqipëri në prag të vendosjes së marrëdhënieve, dhe që ka vëzhguar më pas pothuajse gjithë zgjedhjet në Shqipëri, Robert Hand, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendi ka bërë përparime shumë të mëdha.

Përsa i përket demokracisë shqiptare të sotme, Hand, i cili ka qenë vëzhgues i zgjedhjeve në Shqipëri, me përjashtim të atyre në 2009-ën, vlerëson se "nëse do të krahasoja zgjedhjet e fundit që unë kam vëzhguar, ato të 2005 me ato të 1991, unë kam qënë i pranishëm në të gjithë të tjerat midis, dhe jam po ashtu në dijeni të plotë të zgjedhjeve të 2009, në se do t’i krahasoja këto, përmirësimet kanë qënë shumë të mëdha, nuk ka dyshim për këtë.

     Hand kujton ngjarjet në vitin 1991, kur u rihap Ambasada e SHBA-së në Tiranë. “Ishin momente dramatike. Komisioni i Helsinkit, që në atë kohë kryesohej nga Senatori Denis DeKonsini, vizitoi Shqipërinë në gusht të vitit 1990. Ai po ashtu shkoi përsëri në Shqipëri në mars 1991, marrëdhëniet atëhere ishin vendosur, por ambasada ende nuk ishte hapur. Para nesh ka shkuar në Shqipëri ligjvënësi Tom Lantosh, në një vizitë më pak zyrtare. Ishte një vizitë dramatike. Ne ndiqnim procesin e Helsinkit, që sot është OSBE-ja. Shqipëria ishte atëhere vendi i vetëm që nuk pranonte të futej në OSBE. Në 1975 kur u krijua organizata, Shqipëria e quante procesin e Helsinkit një komplot sovjeto-amerikan që synonte ndarjen e Evropës. Në fakt ajo bëri të kundërtën. Ishin kohë të bukura, kur shikoje Shqipërinë që po hapej, ashtu siç kishin bërë vendet e tjera në rajon dhe që synonte të anëtarësohej në OSBE dhe të kishte marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara”, shprehet Hand.

     Ai thekson se “më bëri përshtypje kur shkova në Shqipëri se sa mikpritës ishin shqiptarët për amerikanët. Në tre dekadat që punoj për Komisionin amerikan të Helsinkit, përvoja ime e viteve ’90, duke parë Shqipërinë që po hapej dhe po bëhej pjesë e procesit, është ndoshta përvoja më mbresëlënëse e karrierës sime, që kurrë nuk do ta harroj” .

     Në lidhje me marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Amerikës, Hand shprehet se "ne nuk i shohim marrëdhëniet domosdoshmërisht se çfarë interesi kemi në një vend, krahasuar me një vend tjetër. Ne duam që të gjitha vendet të jenë demokratike, ku të sundojë ligji dhe të kryejnë reforma politike. Ne duam të jemi pjesë e procesit që çon në përmirësimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe një vendi tjetër”. 

     Sipas tij, “ajo që e dallon Shqipërinë, është se nga njëra anë, disa nga sfidat me reformat ishin shumë të mëdha për shkak të së kaluarës komuniste, por nga ana tjetër, dëshira, shpirti i tyre nuk kishte të krahasuar për t’u anëtarësuar në NATO". 
     “Shqipëria ishte ndër vendet e pakta që anëtarësimin në NATO e kishte vënë mbi anëtarësimin në BE dhe mbante qëndrime të forta në mbështetje të Shteteve të Bashkuara. Pra në vend që të themi se kemi interesa të ngushta për porte, apo për të patur një qendër në Ballkan, ose diçka të ngjashme, disa prej këtyre janë të vlefshme dhe siç e dimë Shqipëria kontribuon me trupa në NATO, por mbi të gjitha, është ajo që duam të shohim nga gjithë vendet dhe ajo që e bëri përvojën e Shqipërisë të veçantë, ishte gatishmëria për të bërë ndryshimet që të futej në NATO dhe dëshira e fortë për këtë”, thekson Hand. 

     Sipas tij, “megjithë polarizimin e madh politik në Shqipëri, një gjë që i bashkon është dëshira për të patur marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe për t’u anëtarësuar në NATO. Si rezultat i kësaj, Shtetet e Bashkuara, në vend të interesave të ngushta, iu përgjigjën një vendi që synonte aktivisht të bëhej anëtar i NATO-s”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›