Ministria e Drejtësisë kërkon procedim disiplinor për 12 prokurorë të Korçës
Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë të Prokurorisë së rrethit Korçë, me motivacionin se janë konstatuar shkelje të detyrës në ushtrimin e një politike të butë dënimi të orientuar drejt kufijve minimalë të dënimit, mungesë efektiviteti të përdorimit të mjetit të ankimit dhe mosrespektim të afateve ligjore në ekzekutimin e vendimeve. Ministria e Drejtësisë i ka dërguar sot Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Raportin e kontrollit të ushtruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë bëhet e ditur se në muajin prill 2012 është ushtruar kontroll në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë me objekt ecurinë e politikës penale e në veçanti e politikës së dënimit të ndjekur nga prokurorët e kësaj prokurorie përgjatë vitit 2011; dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të subjekteve të procedimit penal dhe në veçanti të të ndaluarve dhe të arrestuarve, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve penale, për periudhën 1-31 tetor 2011.
Inspektorët kanë kontrolluar gjatë inspektimit faktmbledhes, 434 çështje penale të përfaqësuara nga prokurori në gjykim, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 12 prokurorëve. Nga inspektimi ka rezultuar se ekzistojnë shkelje procedurale ne 39 raste te qëndrimit të prokurorit në gjykim, të cilat iu atribuohen 12 prokurorëve.
Nga 10 procedime penale te inspektuara për të gjykuarit, me masë sigurimi “arrest në burg”, në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, që përfshijnë veprimtarinë e 1 prokurori të ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve për periudhën objekt kontrolli 1-31 Tetor 2011, kanë rezultuar me shkelje 5 prej tyre ose 50% te rasteve te kontrolluara.
Sipas Raportit të Kontrollit dhe të dhënave zyrtare statistikore, për vitin 2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë vendim përfundimtar për 601 çështje penale, nga të cilat janë ankimuar 232 prej tyre. 46 vendime janë ankimuar nga prokurori dhe 203 janë ankimuar nga i pandehuri, ndërsa 369 ose 62% e çështjeve nuk janë ankimuar as nga prokurori dhe as nga i pandehuri.
Nga të dhënat e marra nga portali zyrtar i gjykatave për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë rezulton se për vitin 2011, kjo gjykatë ka dhënë vendime fajësie për 541 çështje. Në 212 çështje (39%), Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë ka kërkuar masa dënimi në minimumin e dënimit të parashikuar në dispozitat përkatëse penale. Nga 212 raste ku prokurori ka kërkuar minimumin e dënimit, në 141 raste (66%), gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar. Në 27 raste, këto minimume dënimi, janë shoqëruar edhe me kërkesën e prokurorit për aplikim të alternativave të dënimit me pezullim të ekzekutimit të dënimit me burgim sipas neneve 59 e 63 të Kodit Penal.
Të gjitha këto çështje nuk janë ankimuar nga prokurori, duke e mbyllur në shkallën e parë të gjykimit, me dënime të kërkuara në minimum dhe të ulura nën minimum për shkak të gjykimit të shkurtuar të pranuar nga të gjitha palët, thuhet në përmbledhjen e raportit të Ministrisë së Drejtësisë.
7 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ministria e Drejtësisë kërkon procedim disiplinor për 12 prokurorë të Korçës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip