Tepelena zhytet në varfëri, bizneset spaguajnë dot taksat
Tepelenë- Kriza ekonomike ka prekur rëndë bizneset e Tepelenës duke reflektuar më tepër varfërinë që ka kapluar zonën. 158 subjekte që operojnë në këtë qytet bëjnë me dije se fuqia blerëse ka rënë gati 50% në dy vitet e fundit e për pasojë s’janë në gjendje të paguajnë detyrimet që kanë ndaj bashkisë.
Kjo e fundit bën me dije se ndodhe në vështirësi të mëdha financiare pasi ka ka arritur të mbledhe vetëm 32% të planit vjetor të të ardhurave. Ndaj apelon se në rast mospërmbushjeje të detyrimeve nga ana e bizneseve do të marrë masa drastike që nga sekuestrimi i mallit e deri tek mbyllja e aktivitetit.
Kreu i Financave në Bashkinë e Tepelëns, Spiro Kora tha se 158 subjekte nga 419 që operojnë në total në këtë qytet janë debitore ndaj saj në shumën 6 milionë e 245 mijë lekë. Bashkia në këto kushte ka bërë me dije se ndodhet në vështirësi për të paguar edhe pagat e administratës apo për të mbuluar sektorin e sportit, kulturës e atë të shërbimeve të përditshme në qytet. Sakaq Tepelena duket se është zhytur në varfëri pasi gjatë vitit 2012 janë mbyllur 17 biznese kundrejt vetëm 7 të tillave që janë hapur.
/IDEA/