E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë mban peng burgun e ri

Furnizimi me ujë i Burgut të sigurisë së lartë të Drenovës ka gjashtë muaj që mban peng dorëzimin përfundimtar dhe vënien në funksion të investimit të komunitetit evropian. Burgu, i cili ka kohë që ka përfunduar së ndërtuari nuk mund të vihet në punë pa pasur më parë të siguruar furnizimin me ujë dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Por, edhe pse nga ana e Komunës së Drenovës janë miratuar tashmë me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit dy projekte për linjat nga ku mund të sigurohet furnizimi, deri më tani, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë nuk është dhënë aprovimi për ndonjërin prej projekteve apo për çeljen e një fondi të ri shtesë. Nga ana e ministrisë, sipas të dhënave të komunës po zvarritet miratimi i lejes dhe investimit për shtrirjen e linjave të ujit të pijshëm dhe të rrjetit të kanalizimeve. Ndërtimi i godinave përfundoi në muajin shtator 2007 dhe pasi ky investim iu dorëzua ministrisë përkatëse, edhe pse duhej të plotësohej me infrastrukturën e duhur, nga kjo e fundit u kërkua të gjendej më parë burimi dhe më pas të bëhej edhe miratimi i lejes për të realizuar furnizimin me ujë. Gjashtë muaj pas përfundimit nga ana e komunës, deklarohet se dy projekte janë gati, por nuk janë miratuar këtë herë nga ministria përkatëse. Varianti i parë parashikon ndërtimin e një linje të re, që do të marrë ujë nga linjat kryesore të ujësjellësit të qytetit të Korçës dhe që ka një shtrirje të linjës në një gjatësi prej 2.8 kilometrash. Marrja e ujit mund të sigurohet edhe nga linja e Vithkuqit, nëpërmjet një prej rrjeteve të riparuara të saj në një gjatësi 1.8 km. Asnjë nga variantet nuk është miratuar ende, edhe pse kanë kaluar afatet e caktuara për vënien në funksionim të burgut, që mund të strehojë të paktën 800 të dënuar për vepra të rënda penale. Në një kohë kur burgjet në vend mbajnë një numër të burgosurish mbi kapacitetin e dhomave, investimi që është kryer në zonën e Drenovës nuk po vihet ende në punë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›