E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Është bërë reforma e thellë legjislative



Të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave me karakter normativ në përputhje me Kushtetutën janë të botuara në Fletoren Zyrtare. Reagim i menjëhershëm vjen nga Ministria e Drejtësisë në përgjigje të deklaratave të funksionarëve të Partisë Socialiste për pretendimin e kaosit legjislativ të rendit të sotëm juridik, duke tërhequr vëmendjen e medias dhe të opinionit publik për shpifjen dhe trillimin e radhës nga të njëjtët autorë. Sipas burimeve zyrtare nga institucioni i drejtësisë, për sa u takon akuzave pa bazë të PS-së se rreth 1010 ose 34.5% e akteve zyrtare të dala në tri vitet e fundit nga Këshilli i Ministrave nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare, deklarohet se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave me karakter normativ në përputhje me Kushtetutën janë të botuara në Fletoren Zyrtare. “Afrimi i datës së zgjedhjeve, natyrisht ka bërë efektin e saj dhe shembujt më të mirë janë trillimet dhe të pavërtetat e njëpasnjëshme, të manifestuara me një inat të çuditshëm, por sipas motos “shpif, shpif se diçka do të mbetet””, - bëjnë të ditur të njëjtat burime zyrtare. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Republika e Shqipërisë ka përjetuar dy nga ngjarjet më të rëndësishme, plotësimin e ratifikimit të MSA-së me vendet e BE-së dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Këto dy ngjarje të rëndësishme, të realizuara në një periudhë gati 3-vjeçare, kanë impaktin dhe rëndësinë e tyre në jetën e çdo shqiptari. Por një gjë është e sigurt, reformat e qeverisë dhe posaçërisht ato legjislative janë të mirëpritura dhe të vlerësuara dhe si të tilla përbëjnë një faktor kyç në arritjen e këtyre sukseseve. Ndaj edhe tingëllon pa kuptim pretendimi se ftohesh në këto struktura duke pasur një legjislacion të çalë dhe të mangët sikundër pretendohet. “Në këto vite, si kurrë më parë, është synuar bërja e reformave dhe jo pengimi i tyre, plotësimi i akteve ligjore dhe nënligjore dhe jo krijimi me qëllim i vakuumeve ligjore që pushtetarët e djeshëm të luanin si të donin me normën juridike, zbatimi i plotë i tyre dhe jo miratimi në letër, publikimi i plotë dhe tërheqja e konsulencës juridike në proces. Gjithashtu dëshirojmë të theksojmë për publikun kaosin që gjeti kjo qeveri në çdo fushë, të pleksur me interesa korruptive të shtetarëve të djeshëm, malin e falsifikimeve dhe të mbivendosjeve të llahtarshme të pronave të bëra në 8 vjet qeverisje të majtë, si dhe përpjekjet madhore të pushtetit të sotëm për t’i zgjedhur ato me drejtësi dhe profesionalizëm”, - thuhet më tej në deklaratën e ministrisë. Kjo ministri i bën ftesë dhe partisë më të madhe të opozitës që të vazhdojë monitorimin, por edhe të japë kontribut konkret në të, duke e garantuar që është e hapur për çdo mendim, me kushtin e vetëm që të jetë profesional dhe cilësor. Gjatë paradites, Ylli Manjani, sekretar për çështjet ligjore në PS, tha: “PSSH-ja ka monitoruar në vijimësi qeverinë në procesion e hartimit dhe të miratimit të legjislacionit në vend, në tri vite të plota: 2006, 2007 dhe 2008. Siç kemi denoncuar vazhdimisht në këto vite, qeveria ka prodhuar legjislacion jo demokratik, jo kushtetues e pa fuqi juridike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›