E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Detyrimet tona për udhëtimin pa viza në Evropë



Kartat, pas Tiranës, në të gjithë Shqipërinë

“Regjistri themeltar, modeli më i mirë në Evropë”

Qeveria “Berisha” po përmbush të gjitha detyrimet që rrjedhin nga BE-ja për liberalizimin e vizave, madje dhe brenda afateve të përcaktuara. Bindja është e ministrit tonë të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili tregon hapat që po ndiqen për secilin nga kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. Qeveria, pasi ka zgjedhur modelin më të mirë evropian për regjistrin themeltar të shtetasve, jep sigurinë e plotë se do të realizojë brenda afateve edhe pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Paralel me procesin në Tiranë, shumë shpejt shpërndarja e kartave të identitetit do të nisë edhe në rrethet e tjera të Shqipërisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, ndonëse e konsideroi dje jo të lehtë procesin e pajisjes së qytetarëve me dokumentin e identifikimit, beson se është plotësisht i realizueshëm. Sipas tij, gjithnjë nëse ekziston vullneti politik. "Ky proces duhet të ishte kryer më parë. Asgjë nuk i ka penguar qeveritë e mëparshme që ta kryejnë atë, ndonëse nuk është i lehtë, por nëse ka vullnet, ai është tërësisht i realizueshëm", - u shpreh ministri i Brendshëm. Z. Bujar Nishani siguroi qytetarët se me pajisjen e tyre me karta identiteti qeveria ka arritur një standard, i cili jo vetëm nuk ka kthim mbrapa, por do të heqë përfundimisht problemet e deritanishme në regjistrim. "Procesi do të krijojë sistemin e ri të adresave dhe do të ofrojë shërbime pa pengesa përmes një dokument serioz, siç është karta e identitetit. Në këtë mënyrë qytetarët do të shpëtojnë nga certifikatat që u kërkoheshin gjithandej", - tha z. Nishani. Ministri i Brendshëm vuri në dukje se realizimi i dokumenteve biometrike është një nga kushtet për liberalizimin e vizave me BE-në, së bashku me kushte të tjera, si lufta kundër korrupsionit, sigurimi i kufijve, respektimi i të drejtave të njeriut etj., të cilat çojnë në konsolidimin e reformave dhe institucioneve demokratike. Lidhur me hartimin e regjistrit elektronik të shtetasve, z. Nishani tha se ai do të mbështetet në modelet më të mira evropiane, siç është modeli austriak. "Me regjistrin e ri synojmë të përmbushim një standard, duke u bazuar në modelin austriak që është më i miri në Evropë", - theksoi ministri i Brendshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›