E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, zgjedhjet me garën më të fortë



Noka: Kreu i Tiranës, pas zgjedhjeve në rrethe

Zgjidhen 5 kryetarët e parë të PD-së

Zgjedhjet e reja brenda PD-së po karakterizohen nga një garë e fortë elektorale të shoqëruara me një fluks të madh anëtarësimesh në partinë që qeveris vendin. Janë dy këto aspekte që dallon si më të veçantat sekretari organizativ i PD-së, z. Flamur Noka. Ai bëri dje të ditur për “standard” se ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këtë herë po vihet re një garë e fortë ku kandidatë të shumtë pretendojnë poste drejtuese në Partinë Demokratike. Dhe këto gjithnjë të shoqëruara me prurje të reja në partinë në pushtet, duke sjellë dhe anëtarësime të shumta në të gjitha degët e PD-së në mbarë vendin. Por duket se vëmendja kryesore e këtyre zgjedhjeve, është përqendruar tek procesi zgjedhor për kreun e ri të PD-së së Tiranës. Mësohet se pasardhësi i Sokol Olldashit do të zgjidhet vetëm pasi të jetë mbyllur i gjithë procesi elektoral në të gjitha degët e vendit. Sipas z. Noka, kjo për faktin se kryeqyteti ka seksionet më të shumta në numër ndaj dhe zgjedhja e drejtuesve të rinj do të zgjasë më tepër se në zonat e tjera. Z. Noka konfirmoi se aktualisht lista e kandidatëve për degën e Tiranës po njeh propozime të reja dhe lista kryesohet deri tani nga deputeti demokrat Aldo Bumçi. Noka pohon se kandidatura e tij është më e propozuara nga seksionet në Tiranë. Pikërisht në kryeqytet është përqendruar dhe “beteja” më e madhe elektorale, pasi për kryetarin e ri të saj synojnë emra të njohur të politikës së djathtë dhe që kanë një jetëgjatësi në PD. PD-ja ka mundur të realizojë përgjatë këtyre javëve zgjedhjet e reja në disa prej degëve të saj. Bëhet fjalë për mbylljen e këtij procesi në 5 degë të Partisë Demokratike. Z. Noka konfirmon zgjedhjen e kryetarit të PD-së së Kuçovës, z. Fadil Mara, të Përmetit, z. Arian Kacaj, të Shijakut ,z. Dardan Domi, të Devollit, Gëzim Dunkolli, dhe zgjedhjen më të fundit, atë të kreut të PD-së së Kolonjës, Viktor Duro. Dega e PD-së së Tepelenës do të bëjë sërish zgjedhje, pasi dy kandidatët kryesorë të saj kanë dalë në balotazh gjatë raundit të parë. Sipas tij, procesi po ecën normalisht në të gjitha degët e PD-së, ka dyndje kandidaturash dhe anëtarësime të reja në këtë parti, e cila përmes zgjedhjeve të reja parlamentare të 28 qershorit, synon një tjetër mandat qeverisës.

Box

Krerët e rinj

1. Kolonjë Viktor Durro

2. Devoll Gëzim Dunkolli

3. Kuçovë Fadil Mara

4. Përmet Arian Kacaj

5. Shijak Dardan Domi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›