E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI heqin dorë nga tentativat për negocim



E majta, zyrtarisht e ndarë në zgjedhje

Pas takimit Meidani-Rama, LSI-ja heq dorë

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të bëjnë më asnjë hap tjetër që mund t’i afrojë ato para zgjedhjeve parlamentare. Të paktën kështu mendojnë në këto momente përfaqësues të dy forcave politike të majta të cilat janë vendosur tashmë në pozicione kundërshtare. Pas dështimit të takimit mes ish-Presidenti Rexhep Meidani dhe kreut të PS-së, Edi Rama, LSI-ja ka hequr dorë nga tentativat për t’u afruar me PS-në. Kështu, duket se nuk priten negociata as për çështjen e riformatimit të KQZ-së dhe komisioneve të tjera zgjedhore. Rama refuzoi të takonte Ilir Metën dhe pas këtij refuzimi, LSI-ja bën të qartë se do të pezullohen tentativat e grupit të të urtëve për të negociuar më tej. Mejdani, së bashku me Brokajn e LSI-së, Pëllumbin si dhe Agollin, morën përsipër të negocionin me kryetarin socialist për të mundësuar një takim mes Ramës e Metës e më pas të përcaktoheshin modalitetet e bashkëpunimit. Mes këtij grupi u mandatua Mejdani që të takonte Edi Ramën. Sipas burimeve nga ky grup, në bisedën me Ramën, Meidani ka kërkuar që të ketë një takim mes tij dhe Edi Ramës e të diskutonte me të të gjitha mundësitë që kanë përpara dy partitë e majta për t’u bashkuar në prag të zgjedhjeve. Por të njëjtat burime saktësuan se Rama ka refuzuar çdo takim të mundshëm me Ilir Metën. Miratimi i Kodit Zgjedhor si dhe refuzimi i Ramës e ka bindur grupin e të urtëve e në veçanti përfaqësuesit e LSI-së, se tentativat për të gjetur gjuhën e përbashkët mes dy partive dështuan, ndaj nuk vlejnë më përpjekje të tjera. Ish-Presidenti i Republikës Rexhep Meidani u mandata nga grupi i të urtëve për të takuar Ramën dhe t’i bënte të ditur atij mendimet e grupit të të urtëve për të bashkuar të majtën para zgjedhjeve. Sipas burimeve, një prej kërkesave është ajo e një takimit mes Ramës e Metës. Rama ka refuzuar, por parimisht ka qenë dakord që e majta nuk duhet të vazhdojë më në këtë mënyrë. Madje ai ka kërkuar që LSI-ja të ndalë sulmet ndaj tij. Pas këtij refuzimi, tentativat që nuk arritën asnjëherë në negociata zyrtare, konsiderohen të dështuara dhe të mbyllura. Praktikisht, të dyja partitë e kanë bërë të ditur vendimin e tyre për të dalë të vetme në zgjedhje dhe për këtë kanë nisur edhe përgatitjet elektorale. Ndarja që nisi një vit më parë mes PS-së e LSI-së zyrtarizohet dhe po thellohet edhe në prag të këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë që zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes të dy liderëve nuk i shërbyen as sulmet reciproke, as grevat e urisë e as guri më i fortë dhe i fundit, ish-themeluesit e Partisë Socialiste. Jo më kot është zgjedhur Meidani për të biseduar me Ramën, kjo për shkak të marrëdhënieve me të hershme mes tyre. Rama ka shprehur përherë një vlerësim për të, duke mos iu drejtuar në emër, por “profesor”. Përballjet mes tyre, për të kryesuar Partinë Socialistë janë dy, një herë në 2004-ën dhe më pas në shtator të 2005-ës, kur u dorëhoq Nano pas humbjes së zgjedhjeve. E në të gjitha këto përballje, Rama nuk ka harruar ta vlerësojë Meidanin si profesor, ndërsa veten si nxënësin e tij. Veç në këtë situatë, kur PS-ja ka arritur të sigurojë minimizimin e LSI-së në prag të zgjedhjeve, ndërsa ka më shumë pushtet në parti, duket se nxënësi nuk ka pranuar vlerësimet apo këshillat e profesorit të tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›