E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë valë kontrollesh për përmbaruesit e noterët

Kështu, masë disiplinore me gjobë është marrë ndaj përmbaruesve Julian Ahmeti  (shoqëria përmbarimore “E.P.S.A”), Gelas Yzo (Shoqëria përmbarimore “E.P.S.A”), Arben Meskuti (Shoqëria përmbarimore “Z.I.G”), Arben Matani, Gentian Strati, Luan Hoti  (shoqëria përmbarimore “Hoti Bailiff Service”), dhe Halit Cani.

Masa e gjobës varion nga shuma 30 mijë lekë gjer në 50 mijë lekë dhe është caktuar në raport me shkeljet e evidentuara.  Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se lloji i masave të caktuara do të të japë efekte edhe në rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të të gjithë sistemit të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe përmirësimin e respektimit të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të palëve në proces ekzekutimi.  Gjithashtu, në caktimin e masës konkrete është mbajtur në konsideratë fakti që sistemi i përmbarimit gjyqësor privat është në fillimet e veta dhe rrjedhimisht dhënia e masave ekstreme ndaj përmbaruesve mund të dobësojë këtë sistem.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka inspektuar 45 zyra të përmbarimit gjyqësor privat për mënyrën se si përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve. Pas përgatitjes së raportit të inspektimit, i ka kërkuar Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë shqyrtimin e shkeljeve disiplinore për 14 përmbarues gjyqësorë privatë

Noterët

Në mbështetje të rezultateve të inspektimit të 7 zyrave noteriale me anë të katër inspektimeve në dhomat e noterisë Tiranë, Korçë, Shkodër, Laç dhe Durrës u zhvilluan procedurat administrative të njoftimit të subjekteve të interesuara dhe të Dhomave Noteriale. 

Në përfundim, Ministri i Drejtësisë ka vendosur heqjen e licencave për 2 noterë të njësive vendore Lezhë dhe Devoll, përkatësisht për noteret Zana Dema dhe Alketa Mullai. Ministri i Drejtësisë ka dhënë vërejtje me paralajmërim për 3 noterë të njësive vendore Tiranë dhe Durrës dhe konkretisht, noter Robert Koli, notere Shpresa Gjoci dhe noter Islam Hysolli. Janë ende në proces rezultatet e 4 inspektimeve të tjera, midis të cilave inspektimi i fundit ka patur si objekt verifikimin e kushteve të zyrave të noterëve për zbatimin e reformës One Stop Shop në tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.

Administrata Gjyqësore

Në kuadër të kryerjes së kontrolleve pranë administratës gjyqësore, Ministria e Drejtësisë ka kryer inspektimin e veprimtarisë së kancelarit të në Gjykatën e Apelit Vlorë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.  Në bazë të këtyre  inspektimeve, janë konstatuar se mospërmbushje të detyrës së kryer nga ana e kancelarëve, sa i përket mbikëqyrjes së sekretarive gjyqësore në administrimin, ndjekjen dhe rregullshmërinë e veprimeve  procedural mbi ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore, në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligj.  Në përfundim të këtyre kontrolleve, pas vlerësimit të  raporteve përkatëse, Ministri i Drejtësisë ka disponuar dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për të tre kancelarët e gjykatave të inspektuara. /Start/

                                                                                             2012-06-01 08:19
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›