E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Ekonomisë padit në Prokurori për mashtrim, inxhinierin Spiro Minka

Minka akuzohet për mashtrim në dhënien me koncesion të HEC në Librazhd Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj ing. Spiro Minka, i cili besohet se ka mashtruar, duke sjellë pasoja për një garë publike të dhënies me koncesion të HEC-eve në Pellgun e Llangës, Librazhd. Burime zyrtare pranë METE, bëjnë të ditur se pas hapjes së procedurave për dhënien me koncesion, u paraqitën tre ofertues. E para ishte bashkimi i përkohshëm i shoqërive M&A International sh.p.k.,

I&A International sh.p.k dhe ARD sh.p.k. E dyta, bashkimi i përkohshëm i shoqërive Albstar sh.p.k., 4A A1 sh.p.k. dhe MAB Ndërtim sh.p.k. E treta, bashkimi i përkohshëm i shoqërive Eurocostruzioni S.p.a., Elettroindustriale s.r.l., G.S.S. sh.p.k. dhe SIL.CO sh.p.k. Pas shqyrtimi të ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave me anë të një vendimit të datës 31.08.2009 ka shpallur fitues të garës bashkimin e përkohshëm të shoqërive Albstar sh.p.k., 4A A1 sh.p.k. dhe MAB Ndërtim sh.p.k. Mirëpo, fill pas këtij vendimi, një nga kompanitë pjesëmarrëse është ankuar për parregullsi në Agjencinë e Prokurimit Publik. Menjëherë kjo agjenci ka pezulluar procedurën e dhënies me koncesion dhe ka hapur një hetim administrativ. Gjatë mbledhjes së informacioneve, APP ka marrë edhe një deklaratë noteriale të ing. Spiro Minkës, ku ai deklaron se nuk ka marrë pjesë në projektimin apo oponencën teknike të hidrocentrale mbi përroin Zalli i Llangës në Librazhd për llogari të Shoqërisë MAB Ndërtim SH.p.k., por ka marrë pjesë në projektimin e këtyre hidrocentraleve vetëm për llogari të shoqërisë Eurocostruzioni S.p.a. Gjatë evidentimit të dokumentacioneve, bashkimi i përkohshëm i shoqërive që fitoi tenderin është shprehur se është e vërtetë që oponenca teknike e projektit të saj është përgatitur nga Studio Alba Projekt 04 Sh.p.k. me përfaqësues ligjor zotin Spiro Minka, i cili e ka vulosur dhe nënshkruar këtë oponencë në çdo faqe, duke i bashkangjitur kopje të noterizuar të licencës (Spiro Minka) dhe ekstrakt të regjistrit tregtar të kësaj studioje projektimi. Përfaqësuesit e këtyre kompanive, gjithashtu janë shprehur se Minka nuk i ka vënë në dijeni për ndonjë angazhim në përgatitjen e projektit të fizibilitetit të ndonjë shoqërie tjetër në lidhje me shfrytëzimin e Zallit të Llangës, qoftë kjo shoqëria ankimuese Eurocostruzioni. Për të sqaruar këtë çështje, komisioni kërkoi ballafaqimin me inxhinier Spiro Minkën, i cili nuk është paraqitur për të dhënë sqarime. Duke pasur tre fakte kontradiktore, oponencën teknike të projektit të shoqërisë MAB Ndërtim sh.p.k. të nënshkruar dhe vulosur nga studioja e zotit Spiro Minka, deklaratën noteriale të këtij të fundit, ku thotë se nuk ka bërë projekt apo oponencë teknike, si edhe deklaratën e bashkimit të shoqërive që kanë fituar tenderin, ku vërtetohet se inxhinieri Minka ka përgatitur oponencën teknike dhe se nuk i ka vënë në dijeni për shërbime të kryera ndaj ndonjë shoqërie tjetër konkurrente, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka kërkuar nisjen e procedimit penal për zotin Spiro Minka, për veprën penale të mashtrimit me pasoja për një garë publike të dhënies me koncesion. Procedura e dhënies me koncesion nga ana e ministrisë, të HEC-eve në Pellgun e Llangës në Librazhd, është pezulluar për momentin, deri në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje.

Last Updated on E Marte, 09 Shkurt 2010 09:53

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›