E Diel, 1 Nëntor 2026

Defekti i rëndë në nënstacionin qendror lë Fierin pa energji elektrike

Nata e së dielës dhe dita e së hënës janë kthyer në ditë makthi për qytetarët e Fierit. Për më shumë se 20 orë, disa lagje të këtij qyteti kanë qenë në black out total. Një defekt i rëndë në nënstacionin qendror ka bërë që qyteti të zhytet në errësirë, ndërsa  mungesa e paralajmërimit ka gjetur të papërgatitur banorët. Përveç kufizimeve të përditshme, banorët po përballen edhe me amortizimin total të rrjetit. Edhe pse defekti ka ndodhur rreth orës 19.30, janë

dashur rreth tre orë që, energjia të lëshohet për disa prej lagjeve, ndërsa për shumë të tjera energjia ka mundur të shkojë vetëm në orët e para të ditës së djeshme. Qytetarët kanë qenë ata që si gjithmonë mbeten viktima të mungesës së energjisë. Burime nga OSSH kanë pohuar se me gjithë punën që grupet në terren kanë bërë, situata ishte e vështirë për shkak të errësirës, por edhe defektit që sipas specialistëve konsiderohet i rëndë. Mungesa e energjisë elektrike këto kohët e fundit ka sjellë probleme jo vetëm tek abonentët familjarë, por edhe tek bizneset. Të gjitha ato biznese tregtuese  dhe prodhuese kanë paralizuar më orë të tëra punën e tyre. Qytetarët përballë kësaj situate ndihen të pafuqishëm. Në të vërtetë banorët fierakë duket se janë mësuar të përballen me  të tilla vështirësi, pasi gjatë gjithë dimrit e njëjta situatë është paraqitur. Ndërkohë dihet që në qytetin e Fierit mungesa e energjisë elektrike, përveçse i lë qytetarët pa drita i lë edhe pa ujë të pijshëm, pasi pjesa dërrmuese e banorëve që banojnë në pallatet furnizohen me ujë nga pompat.
O. Filka

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›