Ministria e Energjitikës: Shkarkimet në HEC-e do vazhdojnë, jo situatë alarmante
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Leonard Beqiraj, deklaroi sot se shkarkimet e ujit do të vazhdojnë nga kaskada e Drinit sipas kritereve që përcakton rregullorja teknike duke garantuar sigurinë e këtij procesi. Në një prononcim për mediat, zyrtari i lartë i ministrisë së Energjitikës tha se grupet e ekspertëve kanë në monitorim të vazhdueshëm situatën. “Vendosëm që në Vaun e Dejës të shkarkohet me 750 m3/sek nga portat; në Koman 600 m3/sek dhe në Fierzë 650 m3/sek nga portat. Në të gjitha portat që janë në gatishmëri të plotë po shkarkohet, duke filluar nga ora 12;00 me këtë sasi” tha Beqiri. Sipas tij, situata është e tillë që duhet mbajtur në vëzhgim në çdo moment dhe kjo po bëhet nga Grupi i Posaçëm dhe Sekretariati Teknik. Ai gjithashtu tha se në këto tre ditë në vazhdim parashikohen reshje të shumta. “Shkarkimet do të vazhdojnë. Nuk jemi në kushte alarmante që të themi se do të ketë rrezik përmbytjeje”, sqaroi më tej zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.