E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: Do ulim me 30% çmimet e karburanteve në treg

Skema e përgatitur nga Ministria e Financave për të rregulluar abuzimet me çmimet në tregun e karburanteve, synon që ato të ulen me 20-30% në tregjet e shitjes me pakicë të karburanteve. Zyrtarë të Ministrisë Financave thanë dje se, pas investigimeve të bëra është vënë re se çmimet e deklaruara nga të gjitha hallkat e tregtimit, nga importuesi deri te tregtari i pakicës, kishin deformime të mëdha nga çmimet reale, ndërsa lëvizja e tyre varion nga 20-30%. Administrata e tatimeve në anën tjetër bëri me dije se pas kontrolleve, në 11 ditët e para të muajit gusht, organet tatimore kanë gjobitur 40 biznese për moszbatim të ligjit “Për procedurat tatimore”, në bazë të të cilit, bizneset detyrohen që të plotësojnë faturën tatimore për çdo mall që tregtojnë, apo dhe blejnë. Me këtë formë të re taksimi, grosistët e karburanteve do të detyrohen të deklarojnë çmimin për njësi, pasi akcizën dhe TVSH do ta paguajnë mbi bazën e çmimit të shitjes të karburanteve te tregtarët e vegjël. Ministria e Financave shpjegoi se falë këtij rregullimi ligjor, aplikimi i skemës së re parashikon tatimin e grosistëve të naftës në bazë të çmimeve për njësi. Sipas saj, këto masa do të reflektohen së afërmi në treg, pasi kontrollet e organeve tatimore i janë drejtuar edhe tregut abuziv të karburanteve në vend. Që nga fundi i muajit korrik dhe në vijim, në të gjitha vendet e rajonit, vazhdojnë të raportohen ulje të çmimit të karburanteve, të cilat po arrijnë në më shumë se 10%. Në Tiranë, çmimi i eurodiesel këto ditë ka rënë vetëm me 5 lekë për litër dhe nga 170 lekë për litër që shitej deri në datën 5 gusht, vazhdon të mbetet e ngurtësuar në 165 lekë për litër, ndërsa ulja mbetet edhe më e vogël për benzinën, nga 162 lekë/litër, në 160 lekë/litër. Edhe pse Shoqata e Hidrokarbureve vazhdon të premtojë ulje të çmimit të karburanteve ulja e vijueshme e çmimit të naftës në bursë, nuk korrespondon me çmimet në tregjet shqiptare. Brenda 5 viteve të fundit, çmimet e karburanteve janë rritur mbi 120%, shifër e cila jo vetëm është shumë më e lartë se rritja botërore, por edhe sesa rritja në tregjet fqinje.

Çmimet e karburanteve kanë reflektuar ndikimin e tyre në kostot e transportit që janë rritur me 50%, në kostot e shumë produkteve dhe të shumë shërbimeve. Ndikimi i çmimeve të karburantit të Shqipëri në çmimet e produkteve të tjera është sipas vlerësimeve zyrtare 30% më i lartë sesa në vendet e Evropës dhe 25 % më i lartë sesa në vendet e rajonit. Qeveria shqiptare megjithatë vetëm tani po përpiqet të gjejë mënyra për të ndikuar në uljet e çmimeve dhe këto mënyra më shumë po përpiqet t’i gjejë jo duke lënë të veprojë autoritetin e konkurrencës dhe duke zbatuar ligjin e procedurave tatimore, por duke thënë se “do zbatojmë ligjin e procedurave tatimore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›