Problemi ‘Fazlliç’ është pjesë e problemit politik
Kryeministri Berisha nuk mund të bëhet fajtor për biografinë e zotit Fazlliç, pasi ai nuk është afruar me të për shkak të biografisë. Ai është kontaktuar me të si pjesë e ekipit që i bëri fushatën elektorale Partisë Demokratike në vitin 2005 dhe deri këtu është normale. Duke qenë pjesë e një ekipi legjitim amerikan, PD dhe Berisha nuk kanë pse të jenë përgjegjës për të kaluarën e tij, pasi kontrata e tyre ishte tremujore dhe aty mbaronin detyrimet. Problemi është se, pasi BG&R u largua, ky njeri u bë sekseri kryesor i Lulëzim Bashës dhe kryeministrit Berisha. Ky njeri lobonte kontratat e Telekomit, lobonte kontraktorët dhe nënkontraktorët e “Bechtel”-it, tenderat e rrugëve, konsulencat në fushën e energjisë dhe koncesioneve për burimet energjitike, e deri te tregtia e armëve. Nga ana tjetër, ky e përdor rëndësinë te Berisha dhe ekipi i tij duke paraqitur si kompensim për faturat e tij të larta afrimin e Tom Ridge si këshilltar i jashtëm i qeverisë, apo premtime se do të sillte Bill Klintonin në Tiranë, në janar të vitit 2008. Pra, problemi i madh politik është se për hir të marketingut të pushtetit dhe lidhjeve sipërfaqësore me SHBA, qeveria i jep legjitimitet një njeriu shumë të përfolur, i cili vë në pozitë të vështirë çdo qytetar të thjeshtë, nëse e ka mik dhe jo më një kryeministër apo ministër të Jashtëm. Pra, karfica e madhe e Berishës si marketing politik në emër të SHBA, bën një trafikant ballkanas të depërtojë në kokë të qeverisë dhe të diktojë shumë nga zhvillimet në vend, madje dhe zhvillime politike brenda PD. Ai ishte njeriu që frenoi Lulëzim Bashën të kandidonte për Bashkinë e Tiranës, duke ditur rezultatin dhe me njerëzit e vet loboi kundër rivalëve të Bashës në PD. I mësuar të fitojë në mënyrë jolegjitime, ai është njeriu që krijoi standard të dyfishtë për kontratën e PD me BG&R dhe po ashtu njeriu që sabotoi kontratën e BG&R me qeverinë e Kosovës, duke i bërë presion përmes një kontrate false me qeverinë serbe. Pra, ky është një njeri që të vë në pozicion të vështirë politik dhe duhet t’i kesh shumë borxhe që ta mbash afër. Qeveria shqiptare po vazhdon ta mbajë atë në paradhomë dhe ky është një problem i madh. Nuk është problem, pse nuk reagon ndaj akuzave publike për të, se ia di dhe ia pranon. Nuk është problem as pse nuk e denoncon, se ka punët e saj. Por fuqia për t’u shkëputur prej tij është një tregues që dëshmon diçka. Dëshmon së paku faktin se nuk është një qeveri e kapur dhe nga mafia rajonale. Lulëzim Basha, i cili e ka pasur për një kohë të gjatë menaxher jozyrtar të projekteve të tij, e dimë që e ka të vështirë ta bëjë. Por Berisha duhet ta ketë më të lehtë. Natyrisht, nëse e ka.