E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: “Shqipëria pastron paratë e drogës dhe prostitucionit”



Eljona Ballhysa
Njësia e Inteligjencës Financiare pranë Ministrisë së Financave ka paraqitur dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare raportin vjetor mbi situatën e pastrimit të parave në Shqipëri. Drejtori i Njësisë, Arben Doçi, gjatë prezantimit të këtij raporti, ka vënë në dukje se në Shqipëri pastrohen para droge, prostitucioni dhe trafiku të qenieve njerëzore. Ai ka bërë të ditur se kjo njësi, vetëm brenda një viti, ka bërë 180 denoncime për evazion fiskal, ndërkohë që numri i inspektimeve dhe raportimeve për aktivitete të dyshimta që lidhen me transaksione të dyshimta parash është akoma më i lartë. Megjithatë, numri që paraqitet nga Ministria e Financave është i ulët në raport me shifrat që përmendin raportet ndërkombëtare përsa i përket pastrimit të parave të Shqipëri. Madje edhe në raportin e Ministrisë së Financave bëhet e ditur se mbetet shumë punë për të bërë në drejtim të raportimit të transaksioneve dhe aktiviteteve të dyshimta financiare. “Ndonëse edhe në Raport-Progresin e vitit 2009 të BE-së evidentohet rritja në sasi dhe cilësi e inspektimeve të kryera nga DPPPP, përsëri mbetet shumë punë për t’u bërë, me qëllim që subjektet raportuese financiare, por edhe të tjera, të raportojnë transaksione të aktiviteteve të dyshimta për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”, - theksohet në raport.
Denoncimet
“Kemi mundësinë që na jep ligji, që për 72 orë të bllokojmë çdo transaksion, çdo depozitë që na raportohet si e dyshimtë nga subjektet e ligjit apo nga institucionet e tjera. Këtë punë ne e kemi bërë në disa raste. Pikërisht në këtë 10-mujor, mbi 18 herë ne kemi nxjerrë urdhra bllokimi. Janë bllokuar 36 llogari bankare. Janë bllokuar 3 149 843 euro nga ana jonë, 20 mijë dollarë, 75 285 lekë dhe 1060 metër katrorë truall”, - është shprehur drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Arben Doçi, gjatë paraqitjes së raportit vjetor në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë. Gjatë dhjetëmujorit të vitit 2009, Njësia ka denoncuar në Prokurorinë e Përgjithshme 59 raste që përfshijnë transaksionet e dyshimta apo aktivitet të dyshimtë të pastrimit të parave; 117 raste i ka dërguar në polici, me synim investigimin e mëtejshëm. Pra në total, vetëm 10-mujorin e parë të këtij viti janë afërisht 180 denoncime. Përveç denoncimeve, Njësia ka dhënë një sërë urdhrash bllokimi. Për vitin 2009 janë bllokuar 36 llogari bankare, 3 149 843 euro, 20 000 dollarë, 75 285 lekë, 1060 m2 truall, ndërkohë që janë sekuestruar nga gjykata 2 729 843 euro. “Vlen të përmendet që në muajin maj 2009, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me homologët, u bë e mundur marrja, analizimi dhe shpërndarja në kohë e të dhënave të rëndësishme financiare mbi një grup të strukturuar kriminal, mbi bazë të të cilave institucionet e tjera ligjzbatuese kanë filluar procedimin penal ndaj tyre. Përveç shpërndarjes në kohë të informacionit, DPPPP arriti të bllokojë një shumë prej 2.5 milionë eurosh, para këto të fituara nga veprimtaria e kriminale e trafikut të qenieve njerëzore e shfrytëzimit të prostitucionit”, - është shprehur Doçi. Gjatë fjalës së mbajtur në Komision, Doçi ka vënë në dukje veprimtarinë e ulët të Prokurorisë në drejtim të ndjekjes së rasteve të dërguara nga Njësia për pastrim parash.
Gjobat
Përveç denoncimeve, Njësia e Inteligjencës Financiare ka ushtruar të drejtën e saj për të vendosur gjoba. Shuma totale e gjobave të dhëna për vitin 2008 është 23 690 000 lekë, ose gati 6 herë më shumë se një vit më parë. Ndërsa për periudhën janar 2009 - tetor 2009, kjo shumë është 42 050 000 lekë. “Kujdes më i madh i është kushtuar edhe pagimit të gjobave, duke ndjekur të gjitha proceset gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit. Në vitin 2008, nga 22 ankimime të bëra për masat administrative, 15 prej tyre janë fituar nga Njësia, 2 janë fituar nga subjektet e ndëshkuara dhe të tjerat janë në proces”, - është shprehur Doçi, ndërsa ka bërë të ditur se për 10-mujorin e parë të vitit 2009 janë dhënë 29 masa administrative. Krahas dhënies së masave administrative, për herë të parë në vitin 2008, DPPPP-ja, ka propozuar heqjen e licencave për tri subjekte, pranë organeve mbikëqyrëse licencuese, duke ushtruar kështu një të drejtë ligjore për forcimin e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave.
Raportimet
Në raportin e paraqitur në Kuvend është bërë e ditur se është rritur numri i raportimeve për dyshime për pastrim parash nga zyrat e këmbimit valutor. “Zyrat e këmbimit valutor kanë raportuar 179 transaksione vlerash gjatë vitit 2008, krahasuar me 75 raportime të transaksioneve të vlerave që ishin në vitin 2007. Gjatë këtij viti ky numër është rritur dhe ka arritur në 456 për 10-mujorin 2009. Institucionet financiare jo-banka kanë raportuar 213 transaksione gjatë vitit 2008, kundrejt 79 raportimeve të vitit 2007. Ka filluar të raportohet nga këto institucione edhe online. Gjatë këtij 10-mujori raportimet e këtij subjekti kanë arritur në 226. Shoqëritë e ndërtimit kanë raportuar edhe ato për herë të parë në vitin 2008 dhe numri i raportimeve ka qenë 7. Gjatë këtij 10-mujori, si rezultat i inspektimeve dhe masave të marra, numri i raportimeve ka arritur në 265 raste të transaksioneve të dyshimta”, - shkruhet në raport.
Ndërsa numri i noterëve që kanë raportuar gjatë vitit 2009 ka arritur në 197, krahasuar me vitin 2008, që ishte 120 dhe me vitin 2007 që ishte vetëm 18. Fluksin kryesor të raportimeve e zë qyteti i Tiranës, por risi tjetër e raportimeve të noterëve është shpërndarja gjeografike e tyre. Raportimet vijnë nga qytetet: Durrës, Elbasan, Fier, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Sarandë, duke mbuluar të gjithë Ultësirën Perëndimore, që është edhe pjesa me zhvillim ekonomik dhe transaksione të ndjeshme krahasuar me territorin tjetër të Shqipërisë.

Urdhra bllokimi
Viti 2007 Viti 2008 10-mujori 09
Urdhra bllokimi 0 5 18
Llogari bankare të bllokuara 0 45 36
Bllokuar euro 0 504,934 3,149,843
Bllokuar USD 0 486,046 20,000
Bllokuar lekë 0 952,032 75,285
Bllokuar truall 0 0 m2 1,060 m2
Sekuestruar nga Prokuroria e Gjykata 0 0 2,729,843 euro

5 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›