E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet e ndërkombëtarëve: Paratë e pista janë përzier me fondet publike



Nëse krahasohet raporti mbi pastrimin e parave, i bërë publik nga Ministria e Financave, me raportet e ndërkombëtarëve, do të shihet tendenca e uljes së shifrave dhe e zvogëlimit të fushave të pastrimit të parave. Në raportin e qeverisë aktiviteti kriminal i pastrimit të parave është kanalizuar kryesisht në atë që përfshijnë grupet kriminale, që lidhen me trafikun e drogës, prostitucionit apo trafiqeve të paligjshme. Ndërsa në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që pritet të publikohet së shpejti, theksohet se në Shqipëri paratë e pista janë përzier me fondet publike. Pikërisht një deklaratë e tillë është dhe një kambanë alarmi që bie për qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera të shtetit. Pra aktiviteti i pastrimit të parave është shumë më i gjerë sesa paraqitet nga raporti i Ministrisë së Financave. Sipas raportit të ndërkombëtarëve, skema e pastrimit të parave në Shqipëri përfshin institucionet private dhe shtetërore, e deri tek emra të përveçëm kompanish dhe individësh që i drejtojnë ato dhe që kanë pasur ose kanë aktualisht edhe lidhje me politikën. Nga e gjithë analiza e detajuar që raporti i bën këtij fenomeni, del qartë në pah se ekonomia shqiptare funksionon fare qartë si një lavatriçe gjigante e pastrimit të parave të pista.
Ndërkombëtarët
Departamenti Amerikan i Shtetit ka hartuar një raport për pastrimin e parave në rajonin e Ballkanit, ku përfshihet dhe Shqipëria. Raporti është bërë pjesërisht publik pak kohë më parë nga gazeta “Albania”, ndërkohë që pritet të publikohet në fund të këtij viti. Sipas raportit, “Shqipëria është udhëkryqi ose stacioni i fundit prej nga ku këto para rikthehen në sistemin formal të ekonomisë të vende europiane, pasi janë përzierë me paratë e fondeve publike dhe atyre të dhëna nga donatorët e huaj për investime të ndryshme publike”. Në raportin e amerikanëve shkruhet se fushat kryesore ku bëhet pastrimi i parave në Shqipëri është ndërtimi, shitblerja e pronave dhe biznese të tjera. “Fushat ku po investohen këto para kryesisht janë: ndërtimi, shitblerja e pronave dhe e tokave, kryesisht në zonat bregdetare dhe ato bujqësore, biznese të tjera si industria kimike dhe minerare, eksportet, investimet në arsim, si në hapjen e universitete private dhe së fundi në investime në sektorin medicinal dhe spitalor privat. Në këtë proces qarkullimi të aseteve dhe parave janë implikuar edhe banka private, agjenci sigurimesh dhe agjenci imobiliare, të cilat duket se janë të pasulmuara nga shteti. Këto subjekte ndihmojnë me anë të shumave që depozitojnë në llogari të subjekteve të ndryshme, apo dhe kredive në shuma të konsiderueshme që japin për aktivitete të pashpjegueshme në mënyrë ligjore dhe verbale, të cilave u bashkëngjiten më pas dhe fondet e parave që vijnë nga rrugët informale. Këto subjekte nuk kontrollohen as nga zyrat e taksave dhe institucionet financiare që përgjigjen për mbikëqyrjen e tyre”, - shkruhet në raport.
Skema
Raporti përmend edhe situatën e kaluar nga Shqipëria në vitin 1997, duke bërë të ditur se që nga ky vit e deri tani pastrimi i parave është i ndërtuar në një skemë që funksionon më së miri dhe që përfshin, përveç institucioneve private, edhe ato shtetërorët. “Pas vitit 1997, kohë kur shteti shqiptar pati probleme serioze me skemat e pastrimit të parave të pista që vinin nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe Europa Lindore, të cilat u zyrtarizuan në aktivitete kompanish fantazma pa aktivitete të mirëfillta ekonomike që në fund rezultuan si subjekte piramidale të mashtrimit financiar, në të cilat u përfshinë 2/3 e popullatës shqiptare, fenomeni vërehet të jetë aktivizuar sërish me ritme më të shpejta, por me skema më të kamufluara dhe tepër të komplikuara”, - citohet në raportin ende të papublikuar të DASH-it, “Mbi pastrimin e parave të pista në Shqipëri”. Raporti vijon më tej dhe më konkretisht në pjesën përfundimtare të tij, se “institucionet publike financiare dhe agjencitë investiguese të shtetit shqiptar nuk janë të impenjuara sa duhet në bllokimin e këtij fenomeni, madje krerëve kryesorë të tyre duket sikur problemi u bën pak përshtypje”. Raporti i DASH-it shpjegon të detajuara edhe format e pastrimit të parave, se si kryhet procesi nga krimi i organizuar ekonomik. “Ai kalon në tri faza, të cilat bëjnë përzierjen (bashkimin) e fondeve të përfituara ilegalisht me fondet ligjore, që vënë në lëvizje ciklin ekonomik ligjor. Faza e parë është ‘hyrja’, në të cilën ‘pastruesi’ (subjekt ose individ) fut paratë ‘e pista’ në sistemin financiar ligjor, duke përdorur të gjitha instrumentet financiare që ka në dispozicion, si çeqet, kambialet e udhëtimit, apo kartat me anë të të cilave bëhen transferta parash edhe në shuma të konsiderueshme. Metodat depozituese janë më të thjeshta, por më të përdorura, siç mund të jetë: ndarja e shumave të mëdha në pjesë më të vogla, depozitimi i tyre në banka në format e llogarive bankare me emra të ndryshëm, që më vonë, ashtu si çeqet, do të ribashkohen dhe do të depozitohen në llogari bankare të lokaliteteve të tjera. Faza e dytë është ‘tjetërsimi’. Kjo është faza gjatë së cilës fondet e futura më parë në sistemin financiar ligjor konvertohen ose thjesht transferohen nga njëra bankë në tjetrën, anembanë sistemit bankar të vendit. Në fazën e tretë, të quajtur ‘integrim’, fondet, thuajse ‘të pastra’ rihyjnë në ciklin ekonomik ligjor, për t’u investuar ose konvertuar në mallra me vlerë ose pasuri të patundshme”, - thuhet në raport.

Raporti i Progresit: “Pastrimi i parave, problem madhor për Shqipërinë”

Në Raportin e Progresit, që publikoi pak ditë më parë Komisioni Europian, thuhet se Shqipëria është në fazat fillestare në luftën kundër pastrimit të parave, dhe ky fenomen mbetet një shqetësim madhor. “Raportohet progres i moderuar në luftën kundër pastrimit të parave, i cili vazhdon të jetë një problem madhor”, - thuhet në dokumentin e publikuar nga Brukseli. Sipas tij, ligji për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit hyri në fuqi në shtator të vitit 2008 dhe zbatimi i legjislacionit është bërë tashmë. “Duhen bërë përpjekje të mëtejshme në përfshirjen e standardeve ndërkombëtare sipas rekomandimeve të FATF dhe konventave të Këshillit të Europës dhe të OKB-së, për futjen e tyre në ligjin e brendshëm”, - konstaton Raporti. Ai shton se nuk janë adoptuar ende strategjia dhe plani i veprimit për shmangien e pastrimit të parave. Raporti i Progresit konstaton se “kapacitetet teknike dhe administrative të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave (Njësia e Inteligjente Financiare) kanë shënuar progres krahasuar me periudha të mëparshme, duke shtuar stafin, duke u trajnuar dhe pajisur me mjete të teknologjisë dhe informacionit. Numri i transaksioneve të dyshimta, sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, ka ndryshuar në mënyrë domethënëse përgjatë viteve dhe nuk ka trend rritës në bazë të të dhënave të bëra publike. Një memorandum mirëkuptimi ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2009, i firmosur midis Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Numri dhe cilësia e inspektimeve nga DPP është rritur. Megjithatë, kapaciteti në tërësi i DPP-së mbetet i kufizuar, veçanërisht në drejtim të niveleve të larta të grupeve kriminale dhe transaksioneve të dyshimta me vlerë të lartë në valutë. Ndryshimet e shpeshta të stafit në nivele të larta dhe koordinimi me Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme mbetet problematike, ndonëse raportohen disa përparime më kushtet dhe numrin e rasteve të verifikuara nga DPP kohët e fundit. “Në tërësi, Shqipëria vazhdon të jetë në fazat fillestare në lidhje me realizimin e objektivave në këtë fushë”, - konkludon raporti. Sipas tij, “është duke u bërë një progres i moderuar vetëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe ka nevojë për të kompletuar strukturën ligjore dhe të adoptohen ligjet njëri pas tjetri, si dhe duhet nxitur bashkëpunimi midis Policisë dhe Gjyqësorit”.

5 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›