E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave akuzon importuesit për kontroll të çmimeve të naftës

Ministria e Financave ka akuzuar kompanitë e importit të karburanteve se kontrollojnë çmimet e tyre dhe nuk lejojnë që çmimet të ulen. Pas një sërë akuzash dhe një hetimi të nisur nga Autoriteti i Konkurrencës, hetim që nuk çoi asgjëkundi, Ministria e Financave ka vendosur të ushtrojë kontrolle në bazë të një udhëzimi të ri të sajin. Zyrtarë të ministrisë thanë dje se në bazë të udhëzimit të ri, përcaktohet që midis tregtarit dhe importuesit të naftës duhet të caktohet një çmim fiks për sasinë e naftës që do të tregtohet. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave kërkon që të mbajë stabël çmimin e naftës në treg për një kontingjent të caktuar të importuar. Sipas specialistëve të kësaj ministrie, bëhet e ditur se në treg nafta nuk reflekton lëvizjet, kur bursat janë në rënie, por vetëm kur çmimet rriten. Në këto kushte, edhe fitimet e pikave të tregtimit me pakicë mbeten të kontrolluara, pasi çmimet e blerjes dhe të shitjes do të jenë të fiksuara. Në tregjet e zhvilluara, kontrolle të tilla në tregtimin e karburanteve janë tejet rigoroze, veçanërisht në kushtet e krizës së çmimeve të arit të zi. Nuk është e qartë se si do ta zbatojë Ministria e Financave këtë udhëzim dhe sa ky udhëzim do të mund të ndikojë në çmimet e karburantet. Edhe pa këtë udhëzim Ministria e Financave mund të kishte mundur të kontrollonte fitimet e kompanive të karburanteve dhe pikave të shitjes me pakicë. Ligji aktual i procedurave tatimore e mundëson këtë gjë. Gjithashtu, qeveria shqiptare e ka patur një cak shumë të lakuar çështjen e monopoleve dhe tashmë pas shumë kohësh autoriteti i konkurrencës ende nuk ka fuqi të rregullojë tregun. Vetë qeveria apo Ministria e Financave flasin në mënyrë të tërthortë për monopole. Çmimet e naftës vazhdojnë të bien në bursa e pasqyrimi i kësaj rënieje në tregun vendës mbetet në nivele të ulëta. Gjatë ditës së djeshme, çmimet e naftës në bursa shkuan deri në 111 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie me rreth 25 për qind nga muaji i kaluar ku çmimet kapën një nivel historik. Çmimet kanë rënë me 36 dollarë për fuçi, në harkun kohor të një muaji. Gjithsesi, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bën të ditur se është ende herët për të folur për një stabilitet të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Rënia e çmimit të naftës, sipas specialistëve, ka ardhur pas një kërkese të ulët nga industritë në këtë periudhë dhe një prodhim në maksimum nga vendet e OPEC, nga ana tjetër. Kompanitë e importit thonë se nafta që po shitet në treg është e importuar me periudhën e çmimeve të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›