E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozime kundër Federatës së Gërdecit

Antena brenda familjes

Krijimi i një federate të djathtë sipas modelit ‘Mediu’ është temë diskutimi për shumicën në pushtet. Megjithëse e paqartë si ide, është e kuptueshme se është kundër modelit të Pollos që kërkon të shkrijë PDR me PD. Pra, në njëfarë mënyre republikanët do të jenë një fraksion i përfaqësuar përmes parimit të paritetit brenda së djathtës. Shpjegime të hollësishme nuk jepen, por pak a shumë konfigurimi i ardhshëm i së djathtës do të jetë ky.

Do të kemi një PD me nënkryetar Pollon si përfaqësues i PDR, Bashën si përfaqësues i KOP, dhe dikë tjetër që të përfaqësojë PD tradicionale.

Pastaj, në një raport të caktuar përqindjesh do të kemi Partinë Republikane, Bashkimin Liberal, dy fraksionet e Ballit, legalistët dhe demokristianët. Të gjithë këta do të përfaqësohen brenda federatës së djathtë, sipas kontributeve që kanë dhënë, por dhe sipas votave që do të marrin në zgjedhjet e ardhshme. Problemi më i madh në këtë mes ndodh me mikun e rubrikës sonë, Flamurin, i cili ende nuk e ka të qartë se si do të ndahen votat e tyre në fushatë elektorale. Sipas propozimeve, federata e djathtë do të jetë një koalicion, por secili votues mund të votojë një nga partitë e këtij koalicioni. Deri këtu është e qartë. Por pjesa politike e tyre brenda federatës do të jetë problem më vete, pasi nuk dihet si do të funksionojë.

Kështu, problemi i parë do të jenë selitë e këtyre partive. Flamuri mban në qafë çelësat e PD dhe nuk lë njeri të hyjë aty pa leje. Nëse bëhet federatë, këto fraksionet mund t’i kërkojnë të gjitha nga një kopje. Kjo mund të shkaktojë rrëmujë në selinë e PD dhe mund të krijohen problemet e para logjistike. P.sh., mund të bllokohen banjat, mund të mbingarkohet rrjeti elektrik, mund të nxehen nga puna kondicionerët, mund të bëhen pis korridoret etj., fenomene negative që tani nuk ndodhin, pasi Flamuri nuk lë njeri brenda.

Problemi i dytë do të jetë funksionimi i federatës. Nëse doktori e zbaton statutin e federatës si statutin e PD, i bie që ajo të mos mblidhet asnjëherë dhe të gjitha vendimet t’i negociojë Flamuri si vendimet qarkulluese të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Problemi i tretë dhe shumë më i madh është se cilët do të jenë analogët e Flamurit në këto fraksione. Disa prej tyre kanë aq pak njerëz, sa zor se gjen dot dhe një njeri të dytë ta emërojnë si koordinator me Flamurin. Por, dhe nëse atë person e gjejnë, Flamuri nuk mund të bisedojë me ta, pasi është mësuar të bisedojë me liderët.

Së fundi, problem është dhe emri i mirë apo i keq i liderëve që do të hyjnë në këtë federatë. P.sh., futja e Mediut do t’i faturojë gjithë federatës Gërdecin dhe mund të quhet Federata e Gërdecit. Po kështu, futja e Ndokës apo Pollos mund t’i faturojë federatës gjithë problemet e tenderave në qeveri dhe mund ta etiketojnë Federata e Tenderave. Futja e legalistëve dhe ballistëve mund t’i faturojë federatës gjithë problemet e trashëguara historike të këtyre forcave dhe mund ta etiketojnë si Federata e Pleqve. Por, dhe me qesharake do të jetë sikur federata të njehsohet me këta të KOP që ka sjell doktori nga emigracioni dhe të quhet Federata e Refugjatëve. Për të shmangur gjithë këto dilema, miku jonë, Flamuri, ka propozuar formulën e vitit 1941, ku asnjë nga liderët e fraksioneve të mos jetë në udhëheqje të federatës, me përjashtim të liderit të PD. Me këtë propozim është e sigurt se dhe Flamuri ruan pozitën e tij si roje i PD, dhe federata nuk bëhet, pasi partitë e vogla kanë vetëm liderë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›