Meta: Me ndryshimet kushtetuese PS i siguroi pushtetin Berishës
Muaji shtator paraqitet gjithmonë interesant, aq më tepër këtë vit që Shqipëria do të hyjë edhe në vitin elektoral. Realisht problemi qëndron tek opozita dhe moskoordinimi i aleatëve të saj të përbashkët. A shikoni ndonjë mundësi bashkëpunimi paraprakisht?
Ju e dini se problemet që janë shkaktuar në kampin opozitar kanë ardhur që në krye të herës prej prishjes së marrëveshjes të bashkëpunimit të koalicionit nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste, në mënyrë krejt joparimore dhe jotransparente, duke realizuar një aleancë të paprincip me kreun e mazhorancës, zotin Berisha, dhe duke i shërbyer atij, për të realizuar ato ndryshime kushtetuese aq jodemokratike dhe që e kthejnë mbrapa Shqipërinë dhe njëkohësisht thelbin e një shtetit demokratik, që është ai i kontrollit dhe i balancës ndërmjet pushteteve. Njëkohësisht, ju e dini se po kështu ishte edhe lidershipi i Partisë Socialiste, që për interesa tepër të ngushta dhe për qëllime tejet afatshkurtra të këtij lidershipi, realizoi një ndryshim kushtetues, për sa i përket sistemit zgjedhor, i cili nuk është më i përshtatshmi për kushtet e vendit tonë, duke iu përmbajtur edhe parimit proporcional- rajonal. Dhe, njëkohësisht, nuk do të doja të përmendja shumë fakte të tjera, kur blloku opozitar është ndjerë i tradhtuar nga qëndrimet flagrante të lidershipit të PS, në bashkëpunim me kryeministrin Berisha, që kanë synuar për forcimin e këtij të fundit. Kështu që LSI nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie, sepse i ka bërë të gjitha përpjekjet e saj, në kohën e duhur, për të parandaluar një situatë të tillë politike në vend, por ju e dini që edhe sot e kësaj dite Partia Socialiste nuk i është përgjigjur një ftese zyrtare nga kryetari i grupit tonë parlamentar për kryetaren e tyre të grupit parlamentar, për të diskutuar për diçka që nuk ka të bëjë thjesht me interesat e LSI apo të PS, apo qoftë të të gjithë opozitës, por me interesat e vendit, që është pikërisht reforma zgjedhore, sepse Partia Socialiste synon të vazhdojë politikën e faktit të kryer, duke i mbyllur këto marrëveshje dhe reforma të mëdha me Sali Berishën. Dhe më pas, të bëjë edhe teatrin e radhës, sikur shkëmben replika me Berishën. Pra, në këtë situatë Lëvizja Socialiste për Integrim, do të vazhdojë të forcojë rolin e saj opozitar dhe pa asnjë diskutim që nuk do të tolerojë dhe do të denoncojë çdo bashkëpunim të çdo segmenti të opozitës me Sali Berishën, në kundërshtim në radhë të parë me interesat e vendit, por edhe në kundërshtim edhe me interesat e të gjithë opozitarëve sot në Shqipëri, që kërkojnë largimin një orë e më parë të Berishës nga pushtetit dhe shtyrjen e mandatit të Berishës edhe disa muaj të tjerë, me pretekstin gjoja të mosbërjes së kartave të reja të identitetit.
Sa solid është koalicioni ‘E majta për Integrim’, duke patur parasysh lëvizjet e PDS dhe PAD dhe ftesën e fundit të Partisë Demokratike për zotin Ceka?
Mendoj se përsëritja e akuzave të vjetra dhe tepër bajate nga përfaqësues të PS, se LSI me pozicionin e saj rrezikon gjoja të përçajë opozitën dhe ta mbajë nën pushtet, sikundër ka ndodhur kjo në 2005, është krejtësisht e pavërtetë. Për fat të keq, këto tregojnë që lidershipi i PS nuk ka mësuar asgjë nga 2005 dhe po vijon të ngarkojë veten me përgjegjësi shumë të rëndë edhe për zgjedhjet e vitit 2009. Në radhë të parë, para elektoratit të vet, por dhe para të gjithë vendit që kërkon ndarjen një orë e më parë nga Berisha. Sepse, më duhet t'ju them që LSI nuk ka shkaktuar humbjen e së majtës në 2005 dhe këtë e them me bindje shumë të plotë. Humbjen e të majtës në 2005 e ka shkaktuar Partia Socialiste, e cila në mënyrë antikushtetuese aplikoi sistemin e mega-Dushkut, pra të trafikimit të votave, të cilat favorizuan Partinë Demokratike që e bëri shumë mirë këtë trafikim e votash dhe njëkohësisht favorizuan edhe bashkimin e disa partive, për të cilat bëri fushatë Partia Socialiste dhe Partia Agrare, që votat e socialistëve, i çuan në koalicion me Partinë Demokratike. Kjo ndodhi vetëm për të dëmtuar LSI, e cila u tregua tepër e parimore dhe nuk u bë pjesë e trafikimit të votave. Përsëri këta rrezikojnë të bëjnë të njëjtin gabim. Ne e kemi për të detyrë t'i paralajmërojmë dhe i kemi bërë paralajmërimet tona publike, por nuk i ndalojmë dot në marrëzinë e tyre, në qoftë se ata nuk janë në gjendje të arsyetojnë me gjakftohtësi dhe me përgjegjësi dhe njëkohësisht nuk arrijmë t'i ndalojmë dot, në rast se janë të kapur në mënyrë të pakthyeshme nga ana e Berishës, kështu që me sistemin e ri janë të gjitha mundësitë përmes Kodit të ri Zgjedhor të bëhen ato përmirësime, të cilat e forcojnë thelbin e sistemit, që është proporcionaliteti dhe të cilat do të bëjnë që çdo koalicion të marrë votat e tij, të marrë mandatet e deputetëve të tij, pasi sistemi aktual është shumë më avantazhues për opozitën sesa sistemi i mëparshëm mazhoritar, në kushtet kur kemi dy koalicione opozitare. Mbetet të shohim në muajt që vijnë, nëse veprimi i lidershipit të PS do të jetë në interes të mbrojtjes të thelbit të proporcionalitetit të sistemit, që është edhe vetë interesi i opozitës dhe i të gjithë forcave opozitare, apo do të jetë në interes të krijimit të avantazheve të tjera të padrejta të Berishës, në kundërshtim me vetë thelbin e sistemit që është proporcionaliteti. Ndaj, në këtë aspekt, më duhet t'ju them që nuk është as faji dhe as përgjegjësia jonë, në rast se ata nuk kanë nxjerrë mësime nga vitit 2005. Ne nuk mund të kritikojmë veten, se pse nuk u bëmë pjesë e korrupsionit të votave në vitin 2005, pra, pse nuk u bëmë pjesë e mega-Dushkut. Në argumentet që kishim për ndryshimin e sistemit dhe që ne e kishim kërkuar, ishte pikërisht ndarja nga mega-Dushku, pra ndarja nga korrupsioni elektoral, i cili është thelbi i të gjithë korrupsionit të sistemit politik sot në vend.
Dua të them që Lëvizja Socialiste për Integrim është fora kryesore e këtij koalicioni. Ne jemi të hapur për çdo forcë politike dhe aktor politik apo social që dëshiron të kontribuojë dhe të ndajë në radhë të parë, përgjegjësi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të sfiduar këtë realitete të shëmtuar politik, ku në mënyrë flagrante është bërë më se konsistent bashkëpunimi për krijimin e një kaste dypartiake, politike dhe ekonomike, që rrezikon jo vetëm themelet e një shtetit demokratik, por edhe liritë dhe të drejtat themelore të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Z. Meta, a keni kërkuar takim me ish-kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe pse?
Absolutisht nuk ekziston ndonjë kërkesë për një takim të tillë dhe nuk ka arsye që të ekzistojnë as keqkuptime për emra të përveçëm, kushdo qofshin ata. Mendoj se qëndrimet e LSI kanë qenë dhe mbeten tepër parimore. Në sfidën për të vënë në vend atë dhunim që i bënë Kushtetutës dhe të gjithë popullit shqiptar, kur 115 deputetë as nuk u menduan fare, në sfidën për të garantuar zgjedhe të ndershme dhe të lira, në vitin 2009 dhe në sfidën për të evituar instalimin e një kaste politike dhe ekonomike përjashtuese për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, janë të mirëpritur të gjithë që të kontribuojnë.
Z. Meta, si i shikoni ju edhe zhvillimet në kampin e djathtë, kam parasysh takimet me reformatorët, për t'u bashkuar me Partinë Demokratike dhe nga ana tjetër, një parti që ka dalë po nga Partia Demokratike, por që ka qenë prej vitesh në kampin opozitar, në partitë e majta, por që tenton edhe ajo të bashkohet me Partinë Demokratike? Pra, e shikoni këtë si një zhvillimi politik pozitiv apo e shikoni si një përpjekje të partive për të mbijetuar?
Çdo parti, e cila synon thjesht të mbijetojë në një sistem politik, mendoj se ka fatin e vetasgjësimit politik dhe thjesht të një mbijetese të përkohshme të drejtuesve të tyre. Mendoj se çdo qëndrim jashtë principeve kryesore, të cilat e imponojnë domosdoshmërinë e një force politike në jetën politike të një vendi, sigurisht që nuk i japin avantazh një forcë politike, jo vetëm që të mbijetojë, por edhe luajë një rol pozitiv dhe të dobishëm. Kur çështja e koalicioneve kthehet në pazare apo në tendera, se ku mund të garantohet me thjesht dhe me lehtë një kryetar, nuk bëhet më fjalë për një Parti Demokratike, por bëhet fjalë për një vend pune dhe për një kryetar dhe kështu nuk ia vlen të komentohet.
Z. Meta, duke argumentuar situatën politike dhe lëvizjet e fundit të LSI, analistët shprehen se lëvizja e LSI në opozitë do të ketë një fund, sepse po shfrytëzon bashkëpunimin PS-PD, i cili do të ashpërsohet në fushatën elektorale. Do të ndryshojë, LSI taktikë apo ka një përgjigje për këtë lloj komenti?
Lëvizja Socialiste për Integrim është sot forca kryesore opozitare në vend, është forca kryesore, e cila e ka treguar qartë Sali Berishën si përgjegjës kryesor edhe të mynxyrës të Gërdecit, është forca e parë që ka kërkuar një komision hetimor parlamentar për këtë çështje dhe që çuditërisht nuk është mbështetur nga disa forca të tjera opozitare. Lëvizja Socialiste për Integrim është forca kryesore politike në vend, e cila ka dënuar dhe ka kundërshtuar në mënyrë parimore pikërisht shkatërrimin e thelbit të Kushtetutës, që ishte parimi i ndarjes dhe i balancës së pushteteve, që u zëvendësua me përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme, te kryeministri, pikërisht te Sali Berisha dhe këtë e ka bërë për fat të keq Partia Socialiste në radhë të parë, ose më saktë lidershipi i saj zyrtar, se pati edhe plot deputete të përgjegjshëm që e kundërshtuan dhe e denoncuan. Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë forca e parë kryesore në vend. Për sa i takon pjesës teatrale, atë që me të drejtë zoti Zheji e ka quajtur pjesa e marrëdhënieve sipër banakut të lidershipit aktual të PS me Berishën, pra të atyre gjoja polemikave, kjo mendoj se nuk do t'u hedhë hi syve shqiptarëve, të cilët janë dëshmitarë se kush e ka mbajtur dhe kush i ka dhënë oksigjen Berishës, në ditët kur ai duhet të ishte larguar nga posti i tij. Dhe kush i dha Berishës për tri orë, në parlament, përmes ndryshimeve kushtetuese, ato që ai nuk i realizoi për 14 vjet, sepse populli shqiptar asnjëherë nuk ia dha dhe nuk ia besoji gjithë ato pushtete. Për sa i takon asaj pjese tjetër, të më falë zoti Zheji që i referohem pa i kërkuar një miratim, pjese së banakut, që ka të bëjë me ndryshimin e ligjeve të sporteve, që kanë të bëjnë me veprime të paligjshme të kryera që më parë, për të shkatërruar dhe betonizuar të gjitha terrenet sportive që kanë mbetur gjallë në Tiranë, për përfitime tashmë të qarta të grupeve që qëndrojnë pas krerëve të këtyre dy forcave politike, përsëri mendoj që opinioni publik do të vazhdojë të njihet dhe të informohet jo vetëm nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kryen detyrën e vet, që ka dhënë në zgjedhjet e fundit vendore, edhe në Tiranë, por edhe nga shoqëria civile, nga grupimet ambientaliste që po ndërgjegjësohen gjithmonë e më shumë. Kjo masakra e urbanistikës dhe ky “Gërdec urbanistik” i kryeqytetit do të marrë fund, sepse jo të gjithë i kanë mundësitë të shkojnë dhe të jetojnë në qytet.
Zoti Meta, a ka mundësi për realizimin e koalicioneve të pjesshme, sikurse mund të jetë në veri me Nard Ndokën. Si do të ndahet dhe si e shikoni ju një gjë të tillë?
Ne mendojmë që koalicionet do të jenë në radhë të parë mbi baza parimore dhe jo thjesht mbi baza të kalkulimeve aritmetike, se ku mund të merret gjysmë deputeti apo çerek deputeti më shumë, sepse koalicionet e tjera nuk funksionojnë. Koalicionet e tjera sjellin mungesë qëndrueshmërie dhe besueshmërie për çdo lloj koalicioni që ndërtohet mbi pazare të tilla. Kështu që forcat politike që dëshirojnë të aderojnë në një koalicion duhet të jenë të qarta ose duhet të qëndrojnë fort me disa principe. Forcat politike që pretendojnë se janë të tilla, por që fatin e tyre e kthejnë në një tender, se ku mund të garantohet më kollaj kryetari i tyre janë të destinuara të asgjësohen, për shkak të mungesës të principeve, mbi të cilat ato funksionojnë.