E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trasha “trash” punët e peshëngritjes

Ditë ters e marta për olimpistët shqiptarë. Madje, pa lënë aspak shenjë ose më saktë, vetëm zhgënjim. Peshëngritësi Gerti Trasha nuk arriti të gjente frymëzimin e nevojshëm 24 orë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Romela Begajt, vendi i gjashtë në Olimpiadë në peshën 58 kg për femra.

Elbasanasi, i konsideruar edhe si “Luan Shabani i ri”, dhe që garonte në peshën 69 kg, nuk arriti të realizonte asnjë nga tri provat që pati në dispozicion të tij në stilin e shkëputjes, duke u skualifikuar për të vazhduar garën për stilin e shtytjes e për të përmbushur objektivin e deklaruar prej tij para fillimit të Olimpiadës, për të qenë në tetëshen më të mirë të peshës 69 kg.

Në fakt, strategjia e trajneri të tij, Ilir Çelaj, duhet pranuar se ishte e saktë, pasi Çelaj, prej 14 vjetësh trajner i ekipit kombëtar, vendosi që shtanga e Trashës të kishte peshën 136 kg ose 4 kg më pak, sesa kur Gerti kishte ngritur në Kampionatin Evropian të Linjanos (140 kg), atje ku dhe siguroi pjesëmarrjen për herë të dytë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Nuk dihet, nëse kanë ndikuar faktorë psikologjikë në performancën e Trashës, por paraqitja e tij la një përshtypje të keqe në ambientin sportiv shqiptar.

Katër vjet më parë, në “Athinë 2004”, Gerti Trasha, atëherë 16-vjeçar, nuk pati rezultate të mira, duke zënë vendin e 13 në peshën 62 kg, duke ngritur 115 kg në shkëputje, 140 kg në shtytje, 255 kg në total. Por, nëse në pjesëmarrjen e tij të parë në Lojërat Olimpike mund të konsiderohej edhe si një rezultat i arritur nga një djalosh ambicioz, tashmë 20-vjeçari, i vetmi sportist kuqezi që posedon pasaportë greke, jo vetëm që dështoi në shtangën me peshë 136 kg, por diferenca më kampionin olimpik të paktën në stilin e shkëputjes ishte shumë e madhe, pasi kinezi 20-vjeçar ngriti 158 kg, por dhe 190 kg në stilin e shtytjes, duke fituar Medaljen e Artë. Gjithsesi, për peshëngritësin tonë ka një ngushëllim të vogël, pasi nuk ka qenë i vetmi ndër 30 sportistët e peshës së tij, por bashkë me Trashën nuk janë kualifikuar edhe pesë shtangistë të tjerë, përfshirë edhe kinezin 28-vjeçar Shi Zhijong (i tërhequr në stilin e shtytjes), rumunin Rosu, italianin De Luka, kolumbianin Moskuera dhe koreanojugorin Lee.

Të mërkurën do të garojë peshëngritësi i tretë dhe i fundit shqiptar, Erkand Qerimaj, 3-herë nënkampion i botës për të rinj në tre vitet e fundit: 2006 (Kinë), 2007 (Çeki) e 2008 (Kolumbi). Shkodrani, i cili festoi më datën 10 gusht, edhe ditëlindjen e 20 të tij në fshatin olimpik, është shpresa e fundit për Shqipërinë për ndonjë vend elitar, të paktën në atë që u rendit Begaj. Romela, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në “Pekin 2008” ngriti në total 216 kg: 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke zënë vendin e gjashtë e duke lenë pas peshëngritëse polake, rumune e ekuadoriane. Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i dytë e i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg), e ka renditur në vendin e katërt pas koreanoveriores O Jong, (57.15) dhe tajlandezes Uande Kameiam (57.25). Në stilin e shtytjes, Begaj ngriti 118 kg.

E mërkura është dita më e ngjeshur për olimpistët tanë në Lojërat Olimpikë, pasi më datën 13 gusht do të garojnë 3 sportistë: Said Prizreni në mundjen e lirë (65 kg); qitësja Lindita Kodra, pistoletë 25 metra me zjarr dhe peshëngritësi Erkand Qerimaj në peshën deri në 77 kg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›